Kufiri Kosovë-Shqipëri me 28 prill përgjegjësi e Policisë së Kosovës
Prishtinë, 19 prill - KFOR-i do tia transferojë Policisë së Kosovës përgjegjësitë për kontrollin e kufirit me Shqipërinë. Lajmi u bë i ditur nga komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler pas takimit të zhvilluar me komandantin e krahut jugor të NATO-së, admiralin amerikan, Mark Ficxherald, i cili po qëndron sot në Kosovë.
Ceremonia e dorëzimit të këtyre përgjegjësive tek policia vendore do të ndodhë më 28 prill, konfirmuan drejtuesit e forcës paqeruajtëse.
Zyrtari i lartë i NATO-s, admirali Ficxherald, tha se përmirësimi i situatës së sigurisë në Kosovë, ka mundësuar bartjen e përgjegjësive të caktuara tek autoritetet vendore të sigurisë.
Ky sipas tij është një tregues që dëshmon për gjendjen e mirë sigurisë në Kosovë dhe se këtë duhet nënkuptuar si një zhvillim pozitive.
Gjërat këtu janë duke shkuar mjaftë mirë dhe transferimi i kompetencave është indikator për përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe mendoj që ata kanë qenë gjendje ti pranojnë këto detyra dhe kjo është një gjë shumë pozitive, ka theksuar Fitzgerald.
Në këtë kuadër, komandanti i KFOR-it, Markus Bentler i transmetoi vendimin admiralit Ficxherald se KFOR-i po planifikon bartjen e përgjegjësive tek autoritet kosovare të sigurisë fillimisht në kufirin e Kosovës me Shqipërinë e më vonë edhe në kufijtë me Maqedoninë e Malin e Zi.
Kjo do të bëhet hapa pas hapi dhe do të ketë një vlerësim të kujdesshëm. Bartja e kompetencave do të bëhet për vijën kufitare me Shqipërinë me 28 prill. Ne do të vazhdojmë edhe me kufijtë e tjerë, por paraprakisht do të bëhet vlerësimi për secilin rast, tha gjenerali Bentler.
Transferimi i kompetencave në pikat tjera kufitare do të bëhet hap pas hapi varësisht prej përparimeve që do të bëhen dhe normalisht duke shikuar linjën administrative të kufijve, është shprehur Bentler. Ndërsa ka shtuar se KFOR-i është duke punuar që ti shtyjë proceset përpara dhe në të njëjtën kohë është duke punuar me shtetin serb që të përgjatë pikave kufitare me Serbinë ta mbajë ambientin e qetë.
Ndërsa po vazhdojnë shkurtimet dhe ristrukturimi i KFOR-it në Kosovë, kjo forcë ka bartur përgjegjësitë tek Policia e Kosovës edhe në ruajtjen e objekteve fetare.
Gjatë qëndrimit në Kosovë admirali amerikan është takuar me drejtues të EULEX-it si dhe ka vizituar pikën kufitare Porta 1 që ndodhet në kufi me Serbinë, si dhe kanë përcjellë një stërvitje të FSK-së në Obiliq.
Admirali Ficxherald u shpreh i kënaqur edhe me përparimin që po shënon Forca e Sigurisë së Kosovës.
Së bashku me admiralin Ficxherald ishte planifikuar që Kosovën ta vizitojnë edhe drejtues të Komitetit Ushtarak të NATO-së por vizita u anulua për shkak të problemeve që janë krijuar me trafikun ajror në Evropë.
Admirali Ficxherald herën e fundit në Kosovë ishte më 19 mars, me ç'rast pati vlerësuar lart dorëzimin e përgjegjësive nga KFOR-i te Policia e Kosovës për ruajtjen e monumentit në Gazimestan.