Kufiri Kosovë - Maqedoni mbetet ende i bllokuar
Pala maqedonase ende nuk e ka hequr taksën për qytetarët e Republikës së Kosovës që duan të shkojnë në Maqedoni. Taksa mbetet e njëjtë edhe për automjete transportuese dhe autobusë.
Qytetarët e Republikës së Kosovës mund ta kalojnë kufirin vetëm në këmbë përderisa rruga e bllokuar në anën maqedonase nga disa mjete transportuese ende nuk është zhbllokuar nga autoritetet e Qeverisë së Maqedonisë.
"Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë mbetet e përkushtuar dhe shpreh vullnetin e mirë për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës së krijuar andaj dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet maqedonase. Megjithatë, deri më tani përkundrejt angazhimit maksimal, ende nuk ka zgjidhje të situatës".
"E ritheksojmë faktin se heqja e menjëhershme e të gjitha pengesave të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe barrierave tregtare nga Qeveria e Maqedonisë do të rezultojë me heqjen e menjëhershme të bllokadës së importit për produktet maqedonase nga Qeveria e Kosovës", thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.