15 Maj 2024

Kuçi: Zgjedhjet e lira e demokratike të rëndësishme për Kosovën

Prishtinë, 23 maj - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit (KKKK), me temë “Zgjedhjet dhe Korrupsioni”, i cili u kryesua nga Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga.

Duke folur për aktivitetet e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me luftën kundër korrupsionit, Zëvendëskryeministri Kuçi para të pranishmëve tha:

“Organizimi i takimit të radhës i Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit në këtë kohë parazgjedhore për të diskutuar pikërisht temën ‘Zgjedhjet dhe Korrupsioni”, është shumë e qëlluar. Është e rëndësishme që si në çdo rast tjetër të një rëndësie madhore institucionet e Kosovës të bashkojnë forcat për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Por mendoj që është veçanërisht e rëndësishme që tu dërgohet një mesazh i qartë qytetarëve të Kosovës mbi rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira demokratike, zgjedhje ku fitimtare në fund rezulton të jetë Kosova dhe qytetarët e saj për maturinë e treguar gjatë zgjedhjeve.

E kam përmendur edhe më herët por një ndër ndryshimet esenciale të bëra në legjislacioni, përkatësisht me miratimin e Kodit Penal është edhe futja e një kapitulli të veçantë, për  veprat penale kundër të drejtave të votimit (Kapitulli XVIII), ku janë paraparë të gjitha shkeljet e mundshme që në një formë apo tjetrën ndikojnë në pengimin e votimit të lirë.

Ndër tjera me Kod janë paraparë veprat penale si: Cenimi i së drejtës për të kandiduar; kanosja e kandidatit; parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar; cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve; keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve; dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin; keqpërdorimi i të drejtës së votimit; pengimi i procesit të votimit; cenimi i fshehtësisë së votimit; falsifikimi i rezultateve të votimit; asgjësimi i dokumenteve të votimit.

Unë personalisht kam insistuar që të futet ky kapitull në Kodin Penal, në mënyrë që të ndëshkohen të gjithë personat që pengojnë procesin e realizimit të zgjedhjeve të lira dhe që secilit qytetarë me të drejtë vote të mund të realizojë atë të drejtë pa pengesa.

Në zgjedhjet lokale të dhjetorit 2013, që kanë qenë edhe zgjedhjet e para pas miratimit të Kodit Penal, organet përkatëse të rendit dhe ligjit, përkatësisht Prokuroria e Policia kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në kapjen dhe ndjekjen penale të të gjithë personave që kanë shkelë dispozitat e Kodit Penal, dhe kanë penguar realizimin e të drejtave të votimit. Zgjedhjet e dhjetorit janë cilësuar si zgjedhjet më demokratike që janë realizuar në Kosovë, e kjo ka qenë veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh se këto zgjedhje janë organizuar nën patronatin e institucioneve të Kosovës.

Andaj, unë shpresoj dhe besoj që suksesi i zgjedhjeve të dhjetorit 2013 do të përsëritet edhe në zgjedhjet e qershorit. Ftoj organet e rendit, Policinë, Prokurorinë por edhe monitoruesit dhe qytetarët që të lajmërojnë çdo parregullsi gjatë zgjedhjeve dhe të gjitha format potenciale të korrupsionit apo ndërhyrjeve tjera në votën e lirë të qytetarëve.

Qëllimi ynë kryesorë është që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike, ku të gjithë qytetarët me të drejtë vote do të kenë mundësi të ushtrojnë këto të drejta në mënyrë të lirë dhe pa ndërhyrje. Edhe një herë duhet të dëshmojmë që jemi shtet demokratik, shtet ligjorë dhe të kemi zgjedhje legjitime”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)