Kuçi: Trajnim, gjyqtarëve dhe prokurorëve që integrohen nga Gjykata e Mitrovicës
Prishtinë 12 gusht - Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e publikimit të Doracakut për Procedurën Penale dhe Kontestimore, të organizuar nga USAID-i dhe Instituti Gjyqësor i Kosovës IGJK.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Ministri Kuçi ka theksuar rëndësinë e këtij Doracaku. Sot besoj që është një lajm i mirë për drejtësinë në Kosovë, për gjyqtarët, e në veçanti për ata që merren me çështjet penale, si dhe për ata që merren me çështje kontestimore. Me lejoni t`ju them se indirekt është lajm i mirë për qytetaret e Kosovës, pasi ata do të kenë mundësi të kenë shërbime më të mira, më profesionale dhe shërbime në frymën e ligjeve të cilat më herët janë miratuar te ne.
Më lejoni në fillim që të shpreh një admirim për punën që ka bërë USAID-i dhe Instituti Gjyqësor i Kosovës, dhe ti falënderoj për mundësinë që ma dhanë që të jem pjesë e kësaj ceremonie, që është një shenjë e mirë për ne të gjithë që punojmë në sistemin e drejtësisë, autorët e kanë një meritë të veçantë për punën që e kanë bërë, dhe unë jam i bindur që ata me përvojën e tyre praktike, por edhe teorike kanë bërë një punë të mire për kolegët e tyre gjyqtarë, por edhe për të tjerët.
Më lejoni të them që, kur i kemi nxjerrur këto ligje, kam pasur dy ndjenja, ndjenjën e parë se këto ligje do të jenë shumë pozitive për qytetaret, drejtësinë, gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe ndjenjën e vështirësimit të implementimit të tyre uniform në tërë Republikën e Kosovës, dhe kjo është vërejtur në momente të caktuara.
Më lejoni të them që edhe Gjykata Supreme ka luajtur një rol pozitiv në nxjerrjen e disa opinioneve, apo qëndrimeve për harmonizimin e zbatimit të këtyre projektligjeve, po ky doracak do të jetë me i ndihmueshëm, nuk e zëvendëson punën e gjykatës supreme, po me siguri e ndihmon në kuptimin e asaj se si të implementohen në praktikë.
Ministri Kuçi foli edhe për prioritetet në të ardhmen. Në Kuadër të këtyre prioriteteve që kemi tash e tutje, kemi edhe rishikimin e sektorit të sigurisë, rishikimi nënkupton edhe kuptimin e rishikimit të legjislacionit, po edhe rishikimit të funksionimit institucional, dhe nëse në praktikë gjyqtarët dhe prokurorët tanë hasin pengesa në zbatimin e ligjeve të përmendura dhe te tjerave, ne do të jemi korrekt me këtë proces të rishikimit që ato t`i amandamentojmë, e në momente të caktuara të japim më qartë frymën e ligjeve çka edhe kemi menduar.
Ministri Kuçi përmendi edhe rëndësinë e integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga pjesa veriore e vendit në frymën e ligjeve të Republikës së Kosovës. . Unë jam i bindur që po ndërtojmë një sistem ku gjyqtari te ne është i respektuar, por duhet ta rrisim besimin e qytetarëve në drejtësinë e Republikës së Kosovës, edhe besimi rritet me funksionimin e plotë, efikas, efektiv të sistemit me gjyqtarë të pavarur dhe profesional dhe të paanshëm, ka shumë gjyqtarë, pjesa dërmuese do të thoja që bëjnë një punë të tillë dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm e t`i promovojmë ata, t`i fuqizojmë ata, dhe bashkërisht t`a fuqizojmë në tersi sistemin e drejtësisë në vendin tonë.
Me lejoni të them që, një punë që i mbetet Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial është edhe integrimi i gjyqtarëve të pjesës veriore të vendit me frymën e ligjeve që i kemi miratuar ne, në veçanti nga vitit 2008 e tutje.
Unë kam biseduar edhe me përfaqësuesit e USAID-it dhe kam hasur në mbështetje të plotë që të bëjmë një përgatitje për integrimin e tyre në sistemin tonë me një përgatitje profesionale, dhe unë besoj që edhe ky doracak do të jetë shërbyes edhe për ata. Unë pres që muaji shtator do të jetë muaji i fillimit të integrimit të plote të tyre në drejtësi.
Në fund, Ministri Kuçi falënderoi USAID-in dhe Institutin Gjyqësor të Kosovës për punën e bërë rreth përgatitjes së këtij doracaku, e njëkohësisht i falënderoi të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët të cilët bënë dhe vazhdojnë të bëjnë punë të zellshme, të drejtë dhe të pavarur.