Kuçi: Prona dhe e drejta e pronësisë e drejtë e secilit qytetarë
Prishtinë, 19 shkurt - Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në publikimin e raportit të OSBE lidhur me shqyrtimin e rasteve të riuzurpimit të paligjshëm në Kosovë.
Sipas OSBE-së, ky raport shqyrton reagimet e institucioneve të Kosovës në rastet e riuzurpimeve të paligjshme të pronave nën administrimin e Agjencisë kosovare të Pronës (AKP) dhe paraqet një vlerësim të trajnimit të përgjithshëm të rasteve të riuzurpimit të paligjshëm nga sistemi në fuqi.
Ministri Kuçi gjatë kësaj konference ka thënë se prona dhe e drejta e pronësisë në Republikën e Kosovës, janë të drejta esenciale për secilin qytetarë dhe gjejnë mbrojtje jo vetëm në kodet apo ligjet e Kosovës, por edhe në konventat ndërkombëtare sipas vlerave më të larta universale. Ministri Kuçi ka thënë se i është kushtuar rëndësi dhe kujdes që prona dhe e drejta e pronësisë të parashihet në ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Uzurpimi i pronës është veprim kundërligjore i cili është në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe njerëzore në vendin tonë. Uzurpimi i pronës është i ndaluar dhe nuk mund te behet pronar as kush mbi bazën e uzurpimit të pronës. Uzurpimi i pronës sipas legjislacionit në fuqi është edhe vepër penale ne Nenin 332 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për më shumë, legjislacioni në fuqi garanton të drejtat e prestarëve të komuniteteve pakicë, përkatësisht me Kushtetutë dhe me ligjet në fuqi garantohet parimi i mosdiskriminimit të pjesëtarëve të komuniteteve pakicë në cilindo aspekt, përfshirë edhe atë të pronësisë ka thënë Kuçi.
Ministri Kuçi ka vlerësuar punën e AKP-së, si institucioni kryesorë i mandatuar për pronat, duke kontribuar në zgjidhjen e rasteve të pronësisë por edhe administrimin e pronave. Kuçi tha se është biseduar në Bruksel që do të themelohet edhe Agjencioni Kosovar për Verifikimin e Pronave dhe në këtë drejtim do të bëhen angazhime që Agjencioni të ketë jo vetëm fuqi juridike për lirimin e pronave por edhe menaxhimin e pronave derisa të gjendet pronari i ligjshëm.
Kuçi ka vlerësuar raportin si shumë konstruktiv i cili sipas tij, njëherit do të jetë si udhërrëfyes për institucionet e Kosovës për koordinim më të mirë, efikasitet më të lartë dhe garanci qytetare se prona është e mbrojtur pa marrë parasysh karakterin etnik dhe se uzurpuesi do të dënohet po marrë parasysh etnicitetin e tij.
Në publikimin e këtij raporti, të pranishëm kanë qenë Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, dhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, i cili ka vlerësuar këtë raport të publikuar nga OSBE dhe ka theksuar se rezultatet e këtij raporti zbardhin një problematikë dhe njëherit ky raport hap rrugën për veprimet e mëtejme.