07 Maj 2024

Kuçi prezantoi punën e Ministrisë së Drejtësisë

Prishtinë, 27 dhjetor -  Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, sot ka mbajtur konferencë për media, ku ka paraqitur bilancin vjetor të punës së Ministrisë së Drejtësisë.

Ministri Kuçi tha se tani me është krijuar arkitektura e drejtësisë në Republikën e Kosovës, por sipas tij tani mbetet që sistemi i drejtësisë të jetë me funksional dhe që të jetë një drejtësi e integruar në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Kuçi tha se në vitin 2013 është filluar implementimi i legjislacionit në veçanti i Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale dhe një varg ligjesh tjera që lidhen me luftimin e dukurive negative në fushën penale, duke shtuar që  po ashtu është filluar me strukturën e re në gjykata dhe prokurori si rezultat i ligjeve të miratuara më herët dhe është përfunduar procesi i riemërimit të gjyqtarëve dhe prokuroreve.

Me tej, Kuçi tha se janë krijuar disa profesionet të lira siç janë:  noteria, ndërmjetësimi, arbitrazhi, të cilat janë funksionale, ndërsa sipas tij në fillim të vitit 2014  do të fillojnë punën edhe përmbaruesit privat.

Duke folur për punën e bërë në ndërtimin e infrastrukturës për sistemin e drejtësisë, Ministri Kuçi tha se “kam qenë i orientuar në ndërtimin e infrastrukturës dhe tani më në Kosovë kemi prokurori dhe gjykata të reja, kemi Pallatin e Drejtësisë në përfundim e sipër, kemi Burgun e Sigurisë së Lartë, kemi filluar ndërtimin e qendrës së paraburgimit të Prishtinës dhe Gjilanit. Qendra e Paraburgimit të Prishtinës do të kaloj në objektin e saj të ri që është duke u ndërtuar afër Burgut të Sigurisë së Lartë. Edhe Qendra e Paraburgimit në Pejë do të mbyllet dhe shërbimet e saj do të kalojnë në Qendrën Korrektuese në Dubravë, pasi kjo qendër do të ketë hapësirë pas ndërtimit të Burgut të Sigurisë së Lartë”.

Kuçi ka folur edhe për punën që ka bërë Ministria e Drejtësisë në përmbushjen e obligimeve që ajo ka bërë në raport me studimin e fizibilitetit dhe liberalizimit të vizave, negociatat me Bashkimin Europian dhe EULEX-in për transferimin e kompetencave nga EULEX-i në institucionet vendore dhe krijimin e strategjisë, që sipas Kuçit pritet të miratohet gjatë vitit 2014 dhe ku pritet të ketë një mision të ri të EULEX-it në Kosovë, po ashtu edhe punë të shtuar në marrjen e këtyre kompetencave dhe në ngritjen e kapaciteteve vendore.

Si përkushtim të rëndësishëm në punë gjatë vitit 2013, Ministri Kuçi tha se ka qenë dialogu i zhvilluar me Serbin, ku sipas tij  kanë qenë të fokusuar në veçanti për sistemin e drejtësisë, duke shtuar që tani me janë përafruar qëndrimet, ku pritet të finalizohet me një marrëveshje në fillim të vitit që do të vijë.

Ministri Kuçi gjatë vitit 2014 tha se së bashku me akterët tjerë do të punojë për rendin dhe ligjin në Republikën e Kosovës, në veçanti për integrimin e pjesës së veriut.

Ai tha se do të orientohet në plotësimin e legjislacionit civil të Republikës së Kosovës, gjithashtu do të ndihmojë në bazë të kompetencave që ka Ministria e Drejtësisë në zvogëlimin e lëndëve të mbetura në gjyqësor, ku sipas tij, përveç themelimit të noterisë, ndërmjetësimit, arbitrazhit etj., të cilat kanë ndikuar në zvogëlimin e lëndëve në gjyqësor, ai ka paraparë hartimin e një ligji për të drejtën e themelimit të një task-force për tu marrë me çështjen e lendeve të mbetura si detyrë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ministri Kuçi tha se do të themelojë Akademinë e Drejtësisë me kritere më ndryshe për ata që donë të bëhen gjyqtar dhe prokuror, kritere këto që do të jenë më fleksibile për pranimin e tyre.

Kuçi foli edhe për riorganizimin e  Shërbimit Korrektues të Kosovës, ku tanimë ka marr vendim për avancimin e Shërbimit Korrektues dhe Sprovues të Kosovës nga departamente në agjenci të pavarura, që sipas tij janë rritur kompetencat por edhe përgjithësisht e tyre.

Ai tha së në vitin tjetër duhet të punohet më shumë me mediet dhe qytetarët në mënyrë që të nderohet imazhi i drejtësisë, ku duhet të jenë të njohura për qytetaret kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësorë dhe atij Prokurorial të Kosovës.

“Shumica e qytetarëve mendojnë që ne jemi përgjegjës edhe për gjyqtarë dhe prokurorë, po këtë hapësirë nuk na ka dhënë ligji, por edhe gjyqtarët dhe prokurorët duhet ta rrisin transparencën e tyre në raport me qytetarët”, tha Kuçi.

Ministri Kuçi tha se të gjitha këto aktivitete janë realizuar në bashkëpunim me stafin e Ministrisë së Drejtësisë, përkrahjen e Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ai ka falënderuar EULEX-in për bashkëpunim, Ambasadën Amerikane dhe Komisionin Evropian për punën e përbashkët, si dhe donatorët tjerë të cilët kanë ndihmuar në realizimin e shumë projekteve. Kuçi tha se aktiviteteve të Ministrisë së Drejtësisë i ka ndihmuar edhe shoqëria civile, por edhe mediet me punën dhe angazhimin permanent ndaj Ministrisë së Drejtësisë dhe vet Ministrit Kuçi.

Në fund, Ministri Kuçi këtë vit e karakterizoi si vit të suksesshëm për Ministrinë e Drejtësisë, duke përmendur edhe sfidat të cilat e presin në vitin tjetër, përfshirë këtu punën e tij si ministër, por edhe përgjegjësit e gjyqtarëve dhe prokurorëve në raport me sistemin e drejtësisë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)