Kuçi merr mbështetje për MSA dhe liberalizim të vizave
Londër, 2 tetor Me ftesë të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka vazhduar takimet me zyrtarë të lartë të këtij vendi.
Ministri Kuçi ka takuar Drejtorin për Evropë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Lindsay Appleby. Të dy palët kanë vlerësuar lartë marrëdhëniet mes dy vendeve.
Diskutimi është përqendruar në arritjet në fuqizimin e sundimit të ligjit përmes reformave të vazhdueshme, në procesin e përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave, si dhe në konkludimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Ministri Kuçi ka vlerësuar lartë mbështetjen e ofruar gjatë takimit në konkludimin sa më të shpejtë të MSA-së dhe sigurimin sa më të shpejtë të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ministri Kuçi po qëndron në Londër me ftesë të Ministrit të Drejtësisë së Mbretërisë së Bashkuar për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit ligjor në Angli dhe Uells në Pallatin e Westminster. Samiti mbledh krerët e drejtësisë në botë, duke përfshirë këtu ministra të drejtësisë të Evropës dhe botës, gjyqtarë të gjykatave ndërkombëtare, avokatë e kontribuues të shquar të drejtësisë në botë.