Kuçi: Kontributi i NATO-së është stabilitet për Kosovën dhe rajonin
Prishtinë, 28 nëntor Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka pritur në takim Komandantin Suprem të NATO-së për Europë, Gjeneralin Amerikan Philip Breedlove. Të pranishëm në takim ishin edhe Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku dhe Komandanti i KFOR-it, Salvatore Farina.
Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin e Kosovës me NATO-në dhe për qëllimet që janë për një bashkëpunim konkret në mes të Kosovës dhe NATO-së.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka falënderuar Gjeneralin Breedlove për punën dhe kontributin që NATO po jep përmes KFOR-it për Kosovën. Ai tha së kontributi i NATO-së është edhe stabilitet jo vetëm për Kosovën, por edhe për tërë rajonin.
Temë e takimit ishte edhe ngritja e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me synimet e saja për shtet sovranë e të pavarur, me qëllimin që të ketë një rrugë të qartë për anëtarësim në NATO.
Në anën tjetër, Gjenerali Breedlove ka shprehur falënderimin e tij për bashkëpunimin korrekt që Kosova dhe Forca e Sigurisë së sajë kanë me KFOR-in dhe për kontributin e përbashkët për paqe dhe stabilitet.