Kuçi kërkon luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar
Prishtinë, 29 maj Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), sot ka lansuar projektin Mbështetje përpjekjeve kundër korrupsionit në Kosovë (SAEK), në të cilin ka marrë pjesë edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Me këtë rast, Zëvendëskryeministri Kuçi tha se prioritet mbi prioritetet për Republikën e Kosovës është sundimi i rendit dhe ligji, në të cilën hynë pesë prioritete që duhet të merren parasysh: luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, shpëlarja e parave, terrorizmi dhe krimet e luftës.
Ai kërkoi ngritjen e kapaciteteve njerëzore në sistemin gjyqësor dhe në organet tjera që merren me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, sepse sipas tij Kosova ka infrastrukturë ligjore në luftimin e këtyre dukurive.
Lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Zëvendëskryeministri Kuçi tha se këto dukuri nuk luftohen vetëm më gjyqtarë dhe prokurorë, por kjo arrihet së bashku me qytetarët, duke kërkuar bashkëpunimin më të madh nga ata, me organet e drejtësisë.
Zëvendëskryeministri Kuçi tha se Ministra e Drejtësisë ka hartuar shumë ligje të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë do të kontribuojnë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ky projekt i financuar nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC), ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), rritjen e angazhimit qytetar në forcimin e transparencës e llogaridhënies, qasjen në informata në nivel lokal përmes mediave sociale dhe të forcojë aftësinë e gjyqësorit për të luftuar korrupsionin nga brenda dhe jashtë.
Përmes një qasjeje inovative dhe gjithëpërfshirëse projekti SAEK do të marrë në konsideratë nivelet e ndryshme të intervenimit, duke bashkëpunuar drejtpërdrejt me autoritetet e qeverisjes qendrore, aktorë lokalë komunalë, shoqërinë civile dhe me vetë qytetarët.