Kuçi kërkoi nga drejtuesit e burgjeve që të luftojnë korrupsionin
Prishtinë, 26 dhjetor - Ministri i Drejtësisë Prof. Dr Hajredin Kuçi ka takuar sot drejtuesit e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), me të cilët ka diskutuar për të arriturat e këtij Shërbimi dhe vështirësitë me të cilat është ballafaquar ky institucion në vitin që po lëmë pas.
Po ashtu në takim janë diskutuar edhe prioritetet dhe objektivat e këtij shërbimi për katër vitet e ardhshme.
Ministri Kuçi pasi ka vlerësuar angazhimin dhe punën e këtij institucioni të rëndësishëm për sigurinë e vendit ka kërkuar nga drejtuesit e tij më shumë angazhim, përgjegjësi, llogaridhënie dhe transparencë para publikut.
Veçanërisht është kërkuar rritja e transparencës në raport me kategorizimin dhe transferimin e të burgosurve, të cilët duhet të kenë trajtim të barabartë dhe pa anashëm në raport me ligjin dhe të drejtave që u takojnë.
Po ashtu është kërkuar që të luftohen më me vendosmëri korrupsioni, nepotizmi dhe dukuri tjera që dëmtojnë imazhin e këtij institucioni.
Ministri Kuçi i ka ofruar SHKK-së mbështetjen e plotë në realizim e objektivave, rritjen e efikasitetit dhe avancimin e punës së këtij institucioni.
Rritja e besimit në drejtësi dhe në institucionet e drejtësisë, është objektivi kryesor i Ministrit Kuçi në këtë mandat dhe në funksion të këtij objektivi SHKK-ja do të ketë vëmendjen dhe mbështetjen e veçantë.