Kuçi: Do të ndërtojmë Burgun e Sigurisë së Lartë
Prishtinë, 4 mars - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, u takua me Komisarin e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) dhe Drejtorët e Qendrave Korrektuese e të Paraburgimit.
Në këtë takim, ministri Kuçi, paraqiti prioritetet e tij për një funksionim sa më të mirë të SHKK-së.
Në fillim do të përpiqem që Ligjin për Ekzekutim të Sanksioneve Penale ta implementojmë në tërësi, me qëllim që të kemi një mbikëqyrje sa me të mirë të punës që bëhet në SHKK, ka theksuar Kuqi.
Në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë ai ka thënë se do ta themeloj inspeksionin për mbikëqyrjen e SHKK-së, si dhe do ti themelojë sektorët e inteligjencës për luftimin dhe zbulimin e dukurive negative që mund të paraqiten në SHKK.
Do të tentoj të zvogëlojmë lëvizjen e të burgosurve, transferimin prej një qendre korrektuese në një qendër tjetër, duke krijuar kushte të mira për të burgosurit, në përputhje me ligjin. Do mundohemi që Qendrën Korrektuese për Dënime të Shkurtra në Smrekovnicë ta bëjmë funksionale, dhe nëse na lejojnë mundësitë, këtë Qendër ta bëjmë të tipit të hapur. Do përpiqem që të krijojmë kushte sa me të mira në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, dhe shtoi se në Qendrën Korrektuese në Dubravë, do të ngritet niveli i vëzhgimit me kamera.
Ministri i Drejtësisë, Kuçi, tha se në bashkëpunim më Komisionin Evropian dhe Qeverinë e Kosovës, do të bëhen përpjekje për ngritjen e Burgut të Sigurisë së Larte.
Si prioritete tjera të ministrit Kuçi, janë edhe fuqizimi i Organizatave Joqeveritare në mbikëqyrjen e SHKK-së, si dhe ngritja e kapaciteteve arsimore, profesionale dhe e punësimit për të burgosurit.