Kthehet në rigjykim çështja ndaj të akuzuari Gani Sahiti
Prishtinë, 15 janar - Një kolegj penal prej tre gjyqtarësh, i Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën e Apelit, anuloi aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, P.nr.80/2012, të datës 14.06.2013, ndaj të akuzuarit Gani Sahiti dhe çështjen ia ktheu gjykatës së njëjtë për rigjykim dhe rivendosje.
Po ashtu, kolegji ia vazhdoi paraburgimin të akuzuarit.
Gjykata e Apelit gjeti se aktgjykimi i ankimuar, përmban shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale, të parapara në nenin 384 paragrafi 1, nënparagrafi 2, lidhur më nenin 39 paragrafi 2, të Kodit të Procedurës Penale.
Në bazë të shikimit të shkresave në lëndë të gjykatës së shkallës së parë, u konstatua se trupi gjykues i gjykatës së shkallës se parë, në këtë çështje penalo-juridike, ka vendosur në përbërje jo të rregullt të kolegjit, ngase njëri nga anëtarët, i cili ka qenë edhe kryetar i trupit gjykues, nuk ka pasur të drejtë të jetë në përbërjen e trupit gjykues për vendosje për çështjen kryesore, pasi që në fazën e mëhershme të procedurës në këtë çështje penalo juridike, ka marrë pjesë në përbërje të kolegjit për vendosje të masës së paraburgimit dhe atë në cilësi të anëtarit të kolegjit.- thuhet ndër të tjera në aktvendimin e Gjykatës së Apelit.
Gani Sahiti ishte dënuar nga gjykata e shkallës se parë me 35 (tridhjetepesë ) vjet burgim, si fajtor për veprat penale, vrasje e rëndë, nga neni 147 i Kodit Penal të Kosovës dhe mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të pa autorizuar të armëve.