03 Maj 2024

Kthehen 110 azilkërkuesit e parë kosovarë nga Hungaria

Prishtinë, 25 korrik - Në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, sot u kthyen kontingjenti i parë i qytetarëve të Republikës së Kosovës nga Hungaria, të cilët nuk e kishin të zgjidhur statusin legal të qëndrimit.
 
Gjatë kthimit të këtyre qytetarëve, në aeroport ishte edhe  ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ambasadori i Hungarisë në Prishtinë, Lorant Balla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se sot është bërë kthimi i 110 qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë kaluar ilegalisht kufirin fillimisht në Hungrari, ku  disa prej të cilëve kanë qenë në procedura të azilit, ndërsa disa në mbajte në kampe të ndryshme.

“Është dëshmuar një thirrje e më hershme e Institucioneve tona që qytetarët tanë të mos bien pre e grupe të caktuara të krimit të organizuar, të cilët abuzojnë me gjendjen sociale të tyre, i mashtrojnë me iluzione se do të shkojnë në vende të caktuara dhe do të punësohen dhe në këtë rast janë viktima. Përveç anës materiale që dëmtohen shpeshherë mund të ndodhë edhe rrezikimi i jetës së tyre”, theksoi ministri Rexhepi.

Ministri Rexhepi vuri në dukje se Qeveria duhet të ju sqarojnë qytetarëve se koha e azilit ka përfunduar, realisht Kosova në shumicën e këtyre shteteve të Bashkimit Evropian është në listën e bardhë, pra një shtet ku nuk ka diskriminim politik dhe ku siguria nuk është arsye e azilit.

“Çdo njeri që e merr këtë rrugë i pret fati i njëjtë, disa përfundojnë në kape të ndryshme, ndërsa disa të tjerë që zihen se nuk e kanë statusin të rregulluar, prapë kthehen në Kosovë, sigurisht më të varfër se sa kanë shkuar, sepse kanë paguar të holla për grupet e krimit të organizuar”, tha ministri Rexhepi.

Ministri Rexhepi theksoi se është duke u bërë çmos që të kenë mundësi më të mëdha të punësimit, por ky proces është i ngadalshëm dhe nuk bëhen menjëherë mrekullitë, por duhen të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që brenda Kosovës të krijohen kushte për një jetë më të mirë.

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Lorant Balla, theksoi së në vendqëndrimet në Hungari vazhdojnë të mbesin edhe rreth 500 qytetarë të Republikës së Kosovë dhe deri më tani numri i azilkërkuesve nga Kosova ka kaluar shifrën e rreth 5 mijë në Hungari.

“Duhet të theksoj se baza për dhënien e azilit nuk ekziston, është nonsens. Meqenëse në Kosovë nuk ka pasur shkelje masive të drejtave të njeriut, atëherë azili është i papranueshëm. Autoritet hungareze në të ardhëm do të shtojnë kontrollet për parandalimin e migrimit ilegal”, tha ambasadori Balla.

Bashkim Ajeti, nga fshati Gllogovc i Komunës së Lipjanit, ka rrefyer se ditët që i ka kaluar në kampin hungarez kanë qënë ditë të “zeza”.

“Atje kam qenë prej datës 1 korrik, sjelljet nuk i kanë pasur edhe aq të këqija, por nuk kemi qenë edhe shumë të lirë, kemi qenë të mbyllur. Ushqimi ka qenë në gjendje shumë të keqe. I kemi pasur dy rriska bukë dhe pak mjaltë, në drekë do lloj pasuli nëse mundem me i thanë, s’ka qenë as pasul, shumica e shqiptarëve nuk e kanë konsumu."

"Këtë e kanë bërë me qëllim, pasi që e patën hapur një shoping aty me qëllim për të përfituar. Kanë qenë çmimet shumë të shtrenjta, por që nuk kishim qare pa marrë dicka”, ka thënë Ajeti.

Ajeti, pohon se kushtet e rënda ekonomike, e kanë shtyre të kërkojë statusin e emigrantit.

Edhe Astriti nga Ferizaj, i cili me të zbritur nga aeroplani tregoi për gjendjen e qytetarëve kosovarë që kanë kaluar dhe po kalojnë në kampet e azilkërkuesve në Hungari.

“Kemi qenë në Kiskunhalas në Hungari dhe atje i kemi kaluar ditët e mjerimit. Ujë të bojlerit kemi pi. Edhe shumë shqiptarë kanë mbetur atje ndoshta edhe 500 apo 600. ka edhe fëmijë të vogël një vit e gjysmë që as qumësht nuk kanë me pi, sallame të kalbur po iu japin. Ne jemi ikë nga Kosova sepse këtu nuk ka punë”, tha ai.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)