Kryeparlamentari Krasniqi në prokurori
Prishtinë, 20 dhjetor - Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është marrë në pyetje sot nga prokuroria e posaçme e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.
As EULEX-i e as zoti Krasniqi nuk kanë dhënë ndonjë hollësi për arsyet për të cilat ai ishte thirrur në prokurori, ndërsa një avokat që shoqëronte zotin Krasniqi tha se statusi ligjor i kryetarit të Parlamentit nuk dihet ende dhe se ai është thirrur për të dhënë disa sqarime, lidhur me disa dyshime që kanë të bëjnë me një rast të akuzave për krime lufte.
Pesëmbëdhjetë ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e të cilëve dhe udhëheqës të lartë të saj, janë akuzuar muajin e kaluar për vepra penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile.
Zoti Krasniqi, gjatë luftës në Kosovë ishte njëri nga drejtuesit e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zëdhënës i saj.