Kroacia e sheh Kosovën të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO
Prishtinë, 7 mars - Ministri i ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), zotëri Haki Demolli priti në vizitë zyrtare ministrin e Mbrojtjes (MM) të Republikës së Kroacisë, zotëri Josip Buljeviç me bashkëpunëtorë.
Ministri Buljeviç dhe delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë, u pritën në ministrinë për Forcën e Sigurisë me ceremoni solemne shtetërore, ku ishte e rreshtuar Garda ceremoniale e FSK-së si dhe Orkestra frymore e cili ekzekutoi himnet, atë të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Kroacisë.
Fillimisht të dy ministrat, Demolli dhe Buljeviç zhvilluan një takim kokë me kokë, në të cilin u bisedua për marrëdhëniet e mira ndërmjet dyja vendeve, dy ministrive si dhe për gatishmërinë për intensifikimin dhe thellimin e këtyre marrëdhënieve në të ardhmen.
Pastaj, ministri i FSK-së, Haki Demolli dhe ministri kroat i Mbrojtjes, Josip Buljeviç kryesuan delegacionet e tyre në një takim të zgjeruar në të cilin u shpalos perspektiva e marrëdhënieve dy paleshe MFSK dhe MM së Kroacisë.
Ministri Demolli, pasi i uroi ministrit Buljeviç detyrën e re të ministrit, i shprehu atij falënderimin për angazhimin e Kroacisë dhe ushtarëve të saj në kuadër të KFOR-it, pastaj për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura kroate po i japin si në aspektet e shkollimit, trajnimit dhe ngritjes profesionale të oficerëve, nënoficerëve dhe kadetëve të Forcës së Sigurisë, në shkollat, qendrat trajnuese dhe në Akademinë e Mbrojtjes kroate.
Ministri i ministrisë për FSK, Haki Demolli gjatë takimit i shprehu ministrit kroat të Mbrojtjes, Buljeviç, përkushtimin e MFSK-së dhe Kosovës për ti vazhduar marrëdhëniet miqësore me Kroacinë, duke e theksuar faktin se marrëdhëniet me Kroacinë janë krahas marrëdhënieve me Shqipërinë dhe janë në të njëjtin nivel, menjëherë pas marrëdhënieve me ShBA-në(Aiovën), Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe Turqinë.
Ministri Haki Demolli, gjithashtu gjatë takimit, e informoj ministrin Buljeviç edhe mbi procesin e planifikuar të transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura (FAK), pastaj ministri Demolli i kërkoi Atij, mbështetje dhe përkrahje për Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në iniciativa ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes me theks në Adriatik 5, RACVIAC, e në organizma tjerë ndërkombëtarë, në të cilat Kosova ende nuk është anëtare apo edhe është me status vëzhguesi.
Në fund, ministri Demolli u shpreh se Republika e Kosovës, Republika e Kroacisë si dhe disa shtete tjera mike në rajon mund të ndërtojnë një ,,mozaik paqeje, bashkëpunimi dhe stabiliteti në këtë pjesë të Evropës, duke u shprehur se Kosova është shumë e përkushtuar në vazhdimësi për miqësi me shtetet në rajonin tonë.
Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes të Kroacisë, Josip Buljeviç u shpreh se vizita e tij e parë në Republikën e Kosovës, prej që kam marrë detyrën e ministrit të Mbrojtjes është bërë me qëllim për të dhënë mesazhin se sa Kosova është e rëndësishme për Republikën e Kroacisë.
Nga ana e tij, ministri Buljeviç tha se ura lidhëse me Kosovën janë pakica shqiptare që jeton në Kroaci e cila është mirë e integruar, pastaj kontributi i shqiptarëve në ditët më të vështira për Kroacinë si dhe historia jonë e përbashkët.
Ai, tregoj gjithashtu se nesër ka në agjendë të vizitoi edhe Prekazin, pikërisht për shkak të kësaj historie të ngjashme dhe se në delegacion ka edhe këshilltarin për çështje të veteranëve të Presidentes kroate.
Ministri kroat i Mbrojtjes, Buljeviç tha gjithashtu se Kroacia dhe Kosova nuk kanë çështje të hapura dhe se i vetmi ,,interes i Kroacisë ndaj Kosovës është që ta shoh këtë vend mik stabil, duke shtuar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të vazhdoi dhe fushat në të cilat mund të bashkëpunohet janë të pakufizuara.
Ministri Buljeviç tha gjithashtu se Kroacia e sheh Kosovën të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, dhe për këtë keni mbështetjen edhe të ministrisë së Mbrojtjes së Kroacisë dhe të shtetit të Kroacisë dhe kjo do të arrihet nëse Kroacia dhe Kosova do të punojnë për një strategji të përbashkët. Zotëri Buljeviç u angazhua për përkrahje edhe në fushat konkrete në të cilat ministria e Mbrojtjes së Kroacisë mund ta mbështesë FSK-në, si forcat speciale, inteligjenca, etj.
Ministri Buljeviç u shpreh i gatshëm të mbështesë Republikën e Kosovës në qëllimin e saj, pra transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura si dhe premtoj mbështetje për hapjen e mundësive që Kosova të anëtarësohet në iniciativa rajonale dhe ndërkombëtare të sigurisë.
Në takim të pranishëm ishin edhe, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, zëvendës ministrat Fadil Gashi dhe Muhamet Latifi, Ambasadorja e Kosovës, në Zagreb, zonja Shkëndije Geci, Sekretari i përgjithshëm Shkelzen Sylaj, drejtori i Inspektoratit, gjeneral brigade Bashkim Jashari, shefi i departamentit për bashkëpunim, siguri dhe marrëdhënie me jashtë, kolonel Ilir Qeriqi, Këshilltari ushtarak i ministrit, kolonel Fadil Hadergjonaj.
Pas takimit, të dy ministrat Demolli dhe Buljeviç dhanë nga një deklaratë për media si dhe u përgjigjen në pyetjet e gazetarëve.
Në fund, Ministri Demolli dhe delegacioni kroat në krye me ministrin Buljeviç vazhduan vizitën në Qendrën për Studime Universitare(QSU) të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes(KDS) për të parë nga afër kushtet dhe nivelin e përgatitjes që kjo qendër ofron për oficerët e ardhëm të FSK-së , të cilët shkollohen pranë QSU.-së.
Në QSU, u pritën nga gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, Komandanti i Komandë së Forcave Tokësore, ndërsa komandanti i Qendrës, major Avni Kiqina bëri një prezantim të shkurtër mbi misionin, punën, aktivitetet dhe sukseset e QSU-së që nga themelimi e deri më tani.
Kjo është vizita e parë e ministrit të Mbrojtjes së Kroacisë, Josip Buljeviç në vendin tonë, prej që Ai ka marr detyrën e ministrit. Vlen të theksohet se Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë kanë marrëdhënie shumë të mira dhe se këto marrëdhënie janë të zyrtarizuara edhe me Memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive.