Kriza se bllokon Specialen
Prishtinë, 29 janar - Gjykata Speciale pritet që më së voni deri në vjeshtë të këtij viti ti ngrejë aktakuzat e para për krime të supozuara nga ish-udhëheqësit e UÇK-së.
Tani Kosova i ka kryer të gjitha obligimet, por topi është në anën e BE-së për caktimin e një paneli për rekrutimin e gjyqtarëve të Gjykatës Speciale. Vlerësohet se kriza politike në vend nuk mund ta prolongojë funksionalizimin e Speciales
Kosova tashmë ka kryer të gjitha obligimet për themelimin e Gjykatës Speciale. Pas ratifikimit të marrëveshjes me Holandën për vendin ku do të vendoset Specialja, tashmë ka mbetur në dorën e Bashkimit Evropian shpejtësia e funksionalizimit të Gjykatës.
Kjo pasi BE-ja duhet ta formojë një panel, i cili do ti rekrutojë të gjithë gjyqtarët.
Ekspertët juridikë në vend thonë se Specialja llogaritet e themeluar pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Holandës dhe Kosovës.
Profesori i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës Hasan Prishtina, Vigan Qorrolli, thotë për Zërin se brenda këtij viti, saktësisht më së voni në vjeshtë, do të ngrihen aktakuzat e para. Ndërsa, situata aktuale politike, sipas Qorrollit, nuk mund ta ndalë funksionalizimin e Speciales.
Problemet e brendshme politike nuk mund ta pengojnë një detyrim ndërkombëtar, siç është Specialja. Kjo për shkak se të gjitha veprimet e Gjykatës do të bëhen jashtë territorit të Kosovës, ka thënë Qorrolli.
/Zëri/