05 Maj 2024

Krimi i organizuar sfidë e rëndë për institucionet

Prishtinë, 15 shkurt - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK), ka organizuar të mërkurën një tryezë të rrumbullakët me temën “Luftimi i krimit të organizuar dhe pasurisë së paligjshme – baza ligjore”.

Pjesëmarrësit në tryezë kanë vlerësuar se me gjithë bazën ekzistuese ligjore antikorrupsion, vendi ka nevojë për ligje të reja dhe për zbatueshmëri më efektive të legjislacionit ekzistues.

Një ndër ligjet më të rëndësishme për të cilin është diskutuar në debat, e që po vazhdon të zvarritet nga institucionet përgjegjëse, është Ligji për Konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Në fokus të debatit ka qenë edhe mos-efikasiteti i sistemit të drejtësisë për t’u ballafaquar me rastet e krimeve të organizuara.

Anëtarja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Valdete Daka ka vlerësuar se Gjykatat janë hallka e fundit e zinxhirit në luftën kundër krimit të organizuar.

Ajo ka ngritur edhe një shqetësim për sektorin që e përfaqëson. Sipas saj, buxheti për të gjitha shpenzimet e të gjithë akterëve të Gjyqësorit është më i ultë i mundshëm, rreth 1 % nga Buxheti i Konsoliduar i shtetit, i cili siç tha ajo, nuk mjafton për luftimin e këtyre dukurive.

Daka ka folur edhe për sfidat e së ardhmes së gjyqësorit. “Në të ardhmen, gjykatat duhet të sfidohen edhe me raste të gjykimeve të krimeve të rënda”, ka thënë panelistja Daka.

Nga ana tjetër, ndihmës-drejtor i Përgjithshëm i Policisë për hetimin e krimit, Gazmend Hoxha ka folur për aktivitete konkrete të Policisë në luftimin dhe parandalimin e krimit të organizuar. “Janë shkatërruar 34 grupe të krimit të organizuar”, ka thënë Hoxha.

Ai ka përmendur edhe sfidat e këtij institucioni sidomos në bashkëpunimin ndërkombëtar. Sipas tij, Policia e Kosovës nuk është anëtare e Interpolit apo Europolit.

Ndërkaq zëvendësministri i Drejtësisë, Daut Xhemajli ka folur për aktivitete e Ministrisë, kryesisht në ndërtimin e bazës ligjore. Sa i përket Ligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, ai ka thënë se pritet të hyjë në fuqi shumë shpejtë, brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

”Ritheksojmë përkushtimin tonë për ndërtimin e institucioneve dhe bazës ligjore përkatëse për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë ai.

Ndërkohë, prokurori nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Jonathan Ratel ka vlerësuar se mbështetja financiare për gjyqësorin nuk është në nivel. “Vetë buxheti i ulët i caktuar nga Ministria përkatëse ndikon në pavarësinë e institucioneve të Gjyqësorit.

Ndërkaq, edhe pse Kosova ka polici shumë të mirë, dhe prokurorë të mirë, këto nuk mjaftojnë. Policët, prokurorët, dhe akterët tjerë të përfshirë duhet të jenë proaktivë, dhe të kenë vullnet të çojnë rastet përpara”, ka thënë panelisti Ratel.

Edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka ka folur për përkushtimin e Qeverisë për të luftuar krimin e organizuar dhe dukuritë tjera negative. Sipas tij, krimi i organizuar nuk është sfidë vetëm për vendin tonë, por për të gjithë Ballkanin.

Ndërkohë, pjesëmarrësit kanë ngritur shqetësime të ndryshme që lidhen me luftimin e krimit të organizuar dhe përkushtimin institucional.

Në debat është ngritur edhe një rast konkret i një denoncuesi të një krimi të mundshëm. Gazetari Vehbi Kajtazi ka pyetur nëse organet e drejtësisë kanë marrë hapa konkret në hetimin e deklarimit të Naim Miftarit, për siç kishte thënë denoncuesi Miftari “ofertat që kishte pasur nga pushtetarë për vrasje me pagesë”. Ndërkohë në tryezë ishte i pranishëm vetë Miftari.

Ky shqetësim ka nxitur reagimin e përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, të cilët kanë thënë se janë në proces të hetimit, ndërkohë edhe i është thënë vetë Miftarit që në rast të informatave tjera më të hollësishme të paraqitet në Polici.

Në debat janë ngritur edhe çështje tjera. Është theksuar mungesa e vullnetit politik dhe profesional për t’i luftuar këto dukuri dhe është thënë se nevojitet një strategji kombëtare me afate të qarta kohore dhe me targete e me vegla të caktuara, në mënyrë që të kërkohet dhe identifikohet përgjegjësia.

Kjo tryezë është zhvilluar në kuadër të projektit “Avokimi për kompletimin e pakos së ligjeve anti-korrupsion në Kosovë” që përkrahet nga Ambasada Britanike në Prishtinë.





 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)