Krijohen kolona në pikat kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë
Prishtinë, 2 gusht - Me qëllim të njoftimit të qytetarëve dhe gjithë opinionit të gjerë, ju informojmë se në pikë-kalimin kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë që lidhë Republikën e Kosovës me atë të Serbisë përsëri janë krijuar kolona me pritje të gjata.
Departamenti i Policisë Kufitare edhe përkundër shtimit të personelit policor dhe aplikimit të punës së kontrollit kufitar të përshpejtuar, informon se përsëri sot në pikë-kalimin kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë, janë krijuar kolona me pritje të gjata si në hyrje po ashtu edhe në dalje të Republikës së Kosovës që lidhet me Serbin.
Informacionet e orës 14:00 tregojnë se në Merdare kolona në hyrje është e gjatë diku rreth (2 - 3) kilometër me pritje prej (3 - 4) orë, ndërsa në dalje kolona është e gjatë prej rreth rreth (2) kilometra me pritje të cilat zgjasin për rreth (3 ) orë.
Ndërsa në pikë-kalimin kufitar tek Dheu i Bardhë kolona në hyrje është e gjatë diku rreth (1-1.5) kilometër me pritje prej (40 min-1orë ), ndërsa në dalje kolona është e gjatë prej rreth rreth (1) kilometër me pritje të cilat zgjasin rreth (1-1.5 ) orë.
Policia e Kosovës me qëllim të shmangies së pritjeve të gjata, njofton të gjithë qytetaret, dhe njëherit apelon tek të gjithë ata që mund të shfrytëzojnë pikë-kalime tjera kufitare ti shfrytëzojnë ato pasi nuk ka kolona dhe pritje të gjata, duke përfshirë edhe pikë kalimin-kufitar Mutivodë në drejtim të fshatit Keqekoll ku nuk ka pritje fare, përveç kohëzgjatjes normale prej 10-15 minutave.
Vlen të potencohet se nga ana e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës, puna është duke u zhvilluar normalisht me kapacitete dhe intensitet të shtuar, mirëpo kolonat-pritjet janë duke u shkaktuar si rezultat i fluksit të madh të automjeteve, procedurave që aplikohen gjatë plotësimit të dokumenteve-formularëve përkatës nga autoritetet serbe.