Krerët e policive të rajonit, bashkë kundër terrorizmit
Prishtinë, 22 prill - Lufta kundër terrorizmit bëri bashkë krerët e policive të rajonit, në një seminar dyditor të organizuar nga ICITAP-i amerikan, Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnime në Hetimet Penale.
Për herë të parë, në një tryezë të rrumbullakët në Prishtinë u ulën si drejtori i Policisë së Serbisë, Milorad Veljoviç, edhe zyrtarë të tjerë.
Ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson ftoi autoritetet e 6 vendeve, që të bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit dhe elementeve të tjera negative, pasi kjo është rruga drejt një të ardhmeje të sigurt për qytetarët.
Ju të gjithë e dini, që ne ballafaqohemi me sfida të mëdha në fushën e sundimit të ligjit dhe, në veçanti, në këtë rajon ne duhet të brengosemi për krimin e organizuar ndërkufitar dhe emigrimin ilegal. Këto ditë, gjithashtu duhet të brengosemi për tendencën e luftëtarëve pjesëmarrës në luftërat e huaja në Siri dhe Irak për tu kthyer në Ballkanin Perëndimor, si dhe joshja e të rinjve me ideologjitë ekstremiste. Mënyra e vetme për tu konfrontuar dhe parandaluar këto krime është përmes bashkëpunimit, ju e dini këtë, dhe kjo është arsyeja e takimit sot, tha Tracey Jacobson, ambasadorja amerikane në Prishtinë.
Sipas burimeve zyrtare, për shkak të incidentit në Likovë, Maqedonia ka dërguar zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në vend të krerëve të Policisë. Përfaqësuesit e Policisë së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjes janë pjesëmarrësit e tjerë të seminarit.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni theksoi rëndësinë e këtij takimi për faktin se, siç tha ai, kriminelët, pa dallim se cilit shtet i takojnë, bashkëpunojnë më mirë se gjithçka tjetër. Ai shprehu gatishmërinë e Policisë së Kosovës për të punuar në zbardhjen e krimeve në rajon.
Bashkëpunimi mes nesh është kyç. Ne duhet të shkëmbejmë informata dhe ti bashkojmë forcat drejt qëllimit të përbashkët që kemi. Republika e Kosovës zotohet se do të angazhohet maksimalisht në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, por ka edhe synime dhe prioritete, që të jetë partnere e përpjekjeve ndërkombëtare kundër këtyre dukurive, tha Shpend Maxhuni, drejtor i Policisë së Kosovës.