KQZ miraton planin operativ të sigurisë në zgjedhje
Prishtinë, 4 gusht - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka shqyrtuar dhe miratuar planin operativ të sigurisë që garanton mbarëvajtjen e porocesit të zgjedhjeve që do të mbahen më 3 nëntor.
Duke qenë se këtë vit Kosova përfshihet në zgjedhje në gjithë territorin e saj, madje edhe në komunat me shumicë serbe është parë nevoja e një plani gjithëpërfshirës në aspektin e mekanizmave të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare.
Derisa behet që i gjithë menaxhimi i zgjedhjeve do të jetë angazhim vendor, edhe siguria është planifikuar të jetë e tillë, por me një prani të lehtë mbështetëse ndërkombëtare, shkruan Kosova Sot.
Ky plan operativ i sigurisë identifikon të gjitha aspektet dhe fazat operative nëpër të cilat do të ofrohet siguria për zgjedhjet për kuvendet komunale dhe për kryetar të komunave në Republikën e Kosovës, nëpërmjet planifikimit të duhur dhe me bashkëpunim me Policinë e Kosovës për të garantuar klimë të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe elektoratin e Kosovës duke përfshirë edhe subjektet tjera të inkuadruar gjatë këtij procesi zgjedhor, tha burimi i gazetës brenda KQZ-së.
Megjithatë Policia e Kosovës do të jetë e angazhuar edhe pas ditës së zgjedhjeve për të pasur siguri dhe qetësi.