KPK diskuton për gjendjen e krijuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës
Prishtinë, 8 nëntor - Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku, ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm, në të cilin kanë marrë pjesë edhe Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Xhevdet Bislimi, ai i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Ismet Ujkani dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ky takim ka filluar me diskutimet lidhur me situatën e krijuar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, pas ofrimit të dorëheqjes nga prokurorët dhe stafi administrativ i komunitetit serb. Me këtë rast, anëtarët e Këshillit kanë kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe Sekretariati i Këshillit Prokurorial që ta vlerësojnë gjendjen e krijuar dhe si njësi kompetente në kuadër të sistemit prokurorial të marrin masat e nevojshme dhe të paraqesin në Këshill propozimet konkrete për mirëfunksionimin e punës në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.
Gjatë këtij takimi, Këshilli Prokurorial nuk u lëshua në shqyrtimin e dorëheqjeve të ofruara nga prokurorët dhe stafi administrativ, ngase paraprakisht nevojitet një analizë dhe vlerësim i gjendjes së krijuar nga organet kompetente lidhur me përgjegjësit eventualë që kanë shkaktuar këtë gjendje.
Në fund të diskutimit për gjendjen e krijuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, anëtarët e Këshillit, thanë se mbetën të përkushtuar për koordinimin e veprimeve me institucionet e tjera, me qëllim të mbarëvajtjes së punëve pa ndërprerje në këtë prokurori, por edhe të funksionimit të një ambienti të sigurt juridik në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Nga organet kompetente të Kosovës u kërkua të ofrojnë siguri për punonjësit dhe objektin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicën Veriore.
Gjatë këtij takimi, po ashtu, Këshilli ka konfirmuar listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe ka themeluar Komisionin për Rishqyrtim për pozitën e shpallur për Drejtor të Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Drejtor të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë.â