KPK aprovon raportin e Komisionit në Luftimin e Korrupsionit
Prishtinë, 1 shkurt - Është mbajtur takimi i njëqindenjëzetetetë i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.
Gjatë këtij takimi anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, kanë aprovuar raportin e Komisionit Mbikëqyrës në Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin, me propozimet dhe rekomandimet e dhëna nga anëtarët e tij.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi anëtarët e KPK-së, kanë themeluar Komisionin për transferim dhe avancim të prokurorëve në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kryesues i këtij komisioni do të jetë, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ndërsa për anëtarë janë caktuar, Haxhi Sianaj dhe Xhevdet Bislimi.
Po sot, anëtarët e KPK-së kanë aprovuar kërkesën e EULEX-it, për miratimin e prokurores Ewa Anita Korpi, që të shërbej si prokurore e EULEX-it.
Anëtarët e KPK-së, bënë plotësimin e Komisionit për Vlerësimin e Përformancës së Prokurorëve me anëtarë rezervë.
Në fund të takimin anëtarët e KPK-së, aprovuan transferimin e prokurorit Sylë Hoxha, nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për gjashtë muaj.