Kosovarët grabiten te Rruga e Kombit nga persona me maska

Tiranë, 4 gusht - Në një operacion të gjerë policor, përfshi me helikopterë, u arrestuan grabitësit e katër shtetasve të Kosovës në Rrugën e Kombit.
Shtetasit e Kosovës nuk kanë pësuar asnjë dëmtim, por u janë marrë gjësende me vlerë nga persona të maskuar dhe me armë zjarri në pjesën e rrugës Reps-Mirditë.
Strukturat të rendit dhe sigurisë ndërmorën një operacion të gjerë përfshi edhe ndjekjen me helikopterë për të arrestuar disa persona që grabitën katër shtetas të Kosovës në Rrugën e Kombit. Grabitja u krye nga persona me maska dhe me armë zjarri.
Policia njoftoi se ka arrestuar një 21-vjeçar nga Puka dhe se ka shpallur në kërkim një tjetër të ri gjithashtu nga Puka të dyshuar si autorë të grabitjes. Policia thotë se e ka arrestuar të dyshuarin kryesor për grabitjen. Ngjarja u raportua të ketë ndodhur në pjesën e rrugës Rreps-Mirditë të autostradës Durrës-Kukës.
Sipas burimeve policore, grabitësit kishin vendosur barrikada, përkatësisht pengesa në mes të rrugës. Gjithnjë sipas burimeve policore, shtetasve të Kosovës u janë grabitur nën kërcënimin e armëve gjësende me vlerë, shuma në të holla, por asnjëri prej tyre nuk u dëmtua, njoftoi Rtk.
Grabitësit me maska dhe me armë zjarri u dolën përpara dhe ndalën të katër udhëtarët nga Kosova. Megjithatë, policia e Lezhës nuk dha asnjë emër të personave të dyshuar për grabitjen, ndonëse pohoi se u punua dhe u arrit shumë shpejt identifikimi i tyre. Në operacion morën pjesë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës dhe Repartet e Eliminimit dhe Neutralizmit të Elementëve të Armatosur të njohur RENEA në të gjithë zonën për të arrestuar grabitësit.
Lajmin e dhanë burime mediale mbështetur në burime të brendshme të policisë. Ngjarja u raportua rreth orës 19. Policia e Mirditës i kapi grabitësit rreth katër kilometra larg vendit të ngjarjes dhe dyshohet se ata janë të njëjtët grabitës të disa shtetasve shqiptarë të Malit të Zi disa javë më parë.