Kosova vend transit për narkotikët
Uashington, 6 mars - Kosova vend transit për narkotikët e destinuar për Evropën, por nuk është prodhuese thelbësore substancash narkotike, thuhet në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, që titullohet Raporti për Strategjinë Ndërkombëtare për Kontrollin e Narkotikëve.
Në Raportin e Derpartamentit Amerikan të Shtetit thuhet se Kosova ende vazhdon të mbetet vend transit për narkotikët e destinuar për Evropën. Në raport megjithatë thuhet se vendi ynë nuk është prodhuese thelbësore substancash narkotike. Raporti vjetor mbulon periudhën e vitit 2012.
Në nëntë muajt e parë të vitit 2012, sipas departamentit amerikan, marihuana ishte substanca më e konfiskuar nga autoritetet e rendit, pastaj vije heroina dhe kokaina.
Faktorët që ndikojnë në përpjekjet e Kosovës për të luftuar trafikun e narkotikëve kanë të bëjnë me lokacionin gjeografik, mungesën e kontrollit mbi komunat veriore, ekonominë e dobët dhe sistemin joefektiv të menaxhimit të kufirit, thuhet në raport.
Departamenti Amerikan më tutje në raport thekson se nuk ka vlerësime gjithëpërfshirëse për përdorimin e drogës në Kosovë.
Bazuar në informacionet e disponueshme, shumica e përdoruesve janë meshkuj të moshës 18 deri në 35 vjeç dhe marihuana është substance më e shfrytëzuar, thuhet në këtë raport në të cilin nënvizohen edhe përpjekjet e ministrive të shëndetësisë dhe arsimit, autoriteteve të rendit dhe organizatave joqeveritare për vetëdijesimin e popullatës mbi rreziqet e përdorimit të drogës.