Kosova të anëtarësohet në Interpol dhe Europol
Vjenë, 20 mars - Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, po qëndron sot në Vjenë për të marrë pjesë në Konferencën me temë Luftimi i përbashkët i ekstremizmit të dhunshëm të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Austrisë.
Në këtë konferencë ku po marrin pjesë ministra të punëve të jashtme dhe të brendshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Ministi Hyseni ka folur për masat që ka marrë Kosova për të parandaluar dhe luftuar ekstremizmin e dhunshëm.
Ministri Hyseni shprehu përkushtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera të Kosovës për të luftuar këtë dukuri prej së cilës as edhe një vend nuk është imun.
Në të njëjtën kohë, ai kërkoi përkrahjen e përfaqësuesve pjesëmarrës për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë policorë, në veçanti INTERPOL dhe EUROPOL, që do ti mundësonte asaj shkëmbim edhe më efikas të informacioneve me vendet tjerë.
Konferenca e sotme është një prej iniciativave që dalin nga përkushtimi shumë vendeve të botës i bërë në Samitin e Uashingtonit që u mbajt në shkurt të këtij viti. Qëllimi primar ishte forcimi i bashkëpunimit midis vendeve të rajonit në luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.