Kosova shënon Ditën Kombëtare për Personat e Pagjetur
Prishtinë, 27 prill - Kuvendi i Republikës së Kosovës mban sot një seancë plenare kushtuar 27 Prillit, Ditës së Personave të Pagjetur të Luftës.
Në kuadër të shënimit të Ditës së të Pagjeturve në oborrin e Kuvendit të Kosovës, kryetari Kadri Veseli do të bëjë zbulimin e Përmendores dedikuar personave të pagjetur që nga lufta e vitit 1999 në Kosovë.
Zbulimi i Përmendores do të bëhet menjëherë pas përfundimit të seancës plenare që do të mbahet me këtë rast, e cila pritet të fillojë në orën 10:00.
Edhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kosovë organizon aksionin simbolik me rastin e Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur i cili do të realizohet në hapsirën mes Kuvendit dhe Qeverisë.
Qysh nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, 16 vite më parë, nuk është arritur të ndriçohet fati i personave të cilët konsiderohen si të pagjetur.
Kësisoj, familjarët e viktimave dhe shoqëria kosovare vazhdon të përballet me mohimin e së drejtës për të ditur të vërtetën dhe të drejtës për drejtësi.
Duke qenë këmbëngulës në kërkesat për realizimin e të drejtave të familjareve të viktimave në veçanti si dhe shoqërisë në përgjithësi, si aktivistë të Nismës, përmes aksioneve simbolike vazhdojmë të sjellim në vëmendje çështjen e personave tëpagjetur dhe njëkohësisht të kërkojmë nga të gjithë faktorët relevant angazhim më të fuqishëm në zgjidhjen e këtij problemi.
Fati i personave të pagjetur mbetet një nga plagët më të rënda të luftës së fundit.
Sipas shifrave zyrtare, janë mbi 1,600 persona nga Kosova, fati i të cilëve mbetet i pazgjidhur.