Kosova, shembull i luftimit të terrorizmit
Prishtinë, 28 qershor Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, sot ka marrë pjesë në punëtorinë me temë: Financimi i Terrorizmit dhe Pastrimi i Parave, e organizuar nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-ve, Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnimin e Hetimeve Penale (ICITAP) dhe Programi për Ndihmë, Trajnim dhe Zhvillim Prokurorial Jashtë Vendit (OPDAT) në Kosovë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve në këtë tryezë, kryeprokurori Lumezi tha se sot terrorizmi është një problem ndërkombëtar me të cilin po ballafaqohet bota, andaj më shumë se kurrë ndihet imperativi i një koordinimi edhe më të ngushtë, bashkërendimi të aktiviteteve, shkëmbimit të informatave dhe të gjitha formave tjera të bashkëpunimit ndër fqinjësor e ndërkombëtar për një luftim sa më efikas kundër kësaj të keqeje të përbashkët që ka një emër të frikshëm: terrorizmi.
\"Jo rastësisht kjo fjalë ndahet në pjesën e parë që shqiptohet as më pak e as më shumë sesa TERROR dhe nuk ka nevojë të ndalemi në interpretimin e kësaj fjale që simbolizon të keqen më të madhe me të cilën po përballet komuniteti ndërkombëtare në këtë drejtim pa u përjashtuar edhe Kosova\", tha Lumezi.
Ai tha se sot jemi dëshmitar të një rritjeje të aktiviteteve terroriste në pjesë të ndryshme të botës. \"Grupe të ndryshme nëpër vende të ndryshme duket se kanë zgjedhur që qëllimet e tyre politike, ideologjike apo të besimeve fetare ti arrijnë përmes dhunës dhe terrorit. Natyrisht se pas sulmeve të 11 shtatorit, bota më nuk është ajo që ka qenë. Por në të njëjtën kohë ne duhet të jemi këmbëngulës, të vendosur e të bashkuar në luftimin e kësaj të keqeje dhe mposhtjen e saj ngase kjo do të thotë ruajtje e vlerave të përbashkëta që kemi. Këto vlera të përbashkëta janë demokracia, respekti për njëri tjetrin dhe toleranca e respekti ndaj besimeve fetare dhe lirisë së shprehjes e mendimit\", tha Lumezi.
Sipas tij, Kosova dhe sistemi prokurorial i ka dhënë rëndësi të posaçme luftimit të terrorizmit dhe në këtë drejtim me mburrje mund të thuhet se sistemi prokurorial ka goditur në themel aktivitetit dhe grupet terroriste.
\"Nuk mungojnë as aktgjykimet dënuese dhe përfundimisht Kosova dhe sistemi gjyqësor kanë arritur sukës të lakmueshëm në këtë drejtim. Gjatë vitit 2016 kemi pranuar 37 kallëzime penale me 103 persona ndërsa kemi zgjidhur 28 kallëzime penale me 66 persona\", tha Lumezi.
Sipas Lumezit, gjatë periudhës janar mars 2017, janë pranuar 1 rast me 3 persona dhe janë zgjidhur 6 kallëzime penale me 8 persona.
\"Pra sikurse po vërehet kemi reduktim të numrit të lëndëve të pranuara dhe kjo mund të them me plot gojën se është reflektim i përgjigjes adekuate që ka zhvilluar sistemi gjyqësor ndaj këtij aktivitetit tejet të rrezikshëm\", tha Lumezi.
Mirëpo një aspekt shumë i rëndësishëm i luftimit të terrorizimit, sipas Lumezit, është edhe financimi i terrorizmit dhe pastrimi i parave, pasi shpeshherë këto dy aktivitete janë dhe shihen si të pandara njëra prej tjetrës.
\"Mirëmbajtja e rrjetit terrorist, duke përfshirë rekrutimin, planifikimin, stërvitjen, kampanjën mediale dhe çdo pasuri tjetër fizike paraqesin një infrastrukturë të gjerë në të cilën grupet terroriste fatkeqësisht janë gjendur mjaft mirë ngase kanë krijuar fonde të ardhurash që financojnë dhe me këtë edhe mundësojnë kryerjen e veprave terroriste anë e mbanë globit. Andaj është po aq jetike të goditen edhe burimet e tilla financiare. Sa më të suksesshëm të jemi në ndaljen e financimit të terrorizmit, aq më të mëdha i kemi gjasat që luftën ta fitojmë në tërësi\", tha Lumezi.
Sipas Kryepprokurorit të Shtetit, gjatë vitit të kaluar ka pasur ngrirje të parave të gatshme në vlerë prej 500 000 euro kur para të dyshimta janë pranuar në llogari të disa individëve brenda vendit. \"Lufta e tillë duhet të përshkallëzohet dhe me konfiskimin e pasurive tjera të grupeve të tilla duke pamundësuar sa më shumë që është e mundur zhvillimin e aksioneve me pasoja të tmerrshme për civilët e pafajshëm ngase ata pothuajse në shumicën e rasteve janë shënjestra e terroristëve. Natyrisht se aktet e tilla qyqare janë të papranueshme dhe ndërprerja e financimit paraqet vërtetë parakusht për luftimin me sukses të terrorizmit në përgjithësi\", tha Lumezi.
Sipas Lumezit, shkatërrimi fondeve të terroristëve krijon një mjedis armiqësor për grupet e tilla dhe kufizon aftësitë e terroristëve për të kryer sulmet ndaj vendeve dhe vlera tona evropiane. \"Andaj përfundimisht, efektiviteti ynë si në parandalimin, zbulimin dhe hetimin e aktiviteteve terroriste do të rritet në mënyrë domethënëse atëherë kur përdorim bashkërisht të gjitha burimet që kemi në dispozicion duke filluar nga inteligjenca informative, informacioni financiar, policia, prokuroria, gjykata por edhe vet shteti si tërësi\", tha Lumezi.