Kosova pa ushtri edhe vitin tjetër
Prishtinë, 28 dhjetor - Për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe kundërshtimit të Listës Serbe, edhe gjatë vitit të ardhshëm vështirë se do të ketë FAK.
Për shkak të mungesës së vullnetit politik, Qeveria e Kosovës ka dështuar ta forcojë shtetësinë e saj, duke i transformuar Forcat e Sigurisë së Kosovës në ushtri të vendit.
E sipas njohësve të çështjeve të sigurisë dhe atyre të integrimeve evropiane, pa ushtri Kosova nuk është ende shtet i mirëfilltë, por funksionon si një gjysmë-shtet, shkruan Zëri.
Megjithatë, brenga e tyre më e madhe qëndron në faktin se Kosova nuk pritet të themelojë ushtrinë e saj as në vitin 2016. Kjo pikërisht për shkak të projeksioneve buxhetore për vitin që po vjen dhe të cilat nuk mundësojnë shndërrimin e FSK-së në ushtri me gjithë logjistikën e saj.
Eksperti i integrimeve evropiane, Avni Mazreku, i ka thënë Zërit se themelimi i ushtrisë është dashur të jetë prioritet i shumë qeverive, e jo të rrezikohet që ajo të mos themelohet as vitin që po vjen.
/ Zëri/