Kosova në rrezik nga terrorizmi
Prishtinë, 22 nëntor - Ankthi nga terrori është ringjallur në gjithë kontinentin e vjetër e më gjerë, pas sulmeve të përgjakshme që Parisi i përjetoi fundjavën e shkuar. E kërcënuar ndihet edhe Kosova.
Janë 129 të vrarë nga shtatë sulme terroriste që u organizuan brenda një dite në kryeqytetin e Francës.
Gjatë javës, të tjera u parandaluan jo veç në Paris, por edhe në metropole të tjera evropiane. Dhe përgjegjësinë për organizimin e tyre e ka marrë Shtet Islamik, organizatë e vetëshpallur kalifat dhe që për pak vjet ka arritur të shlyejë një kufi njëqind vjetësh në Lindjen e Mesme dhe të vërë kontroll mbi miliona njerëz në Irak e Siri, shkruan Koha Ditore.
Ky grup xhihadistësh ka në radhë të veta edhe qindra qytetarë të Kosovës, disa nga të cilët janë vrarë në beteja. Ata dhe shumë militantë të tjerë gjithandej globit i ishin përgjigjur thirrjes fillestare për ta luftuar regjimin vrasës të Bashar Al-Assadit. Pastaj fronti u hap edhe kundrejt myslimanëve që nuk i bindeshin kalifatit.
Që nga pranvera e kaluar është zgjeruar përtej rajonit dhe veprimet tashmë kanë marrë përmasa ndërkombëtare.
Gjatë dy javëve të kaluara, madje në formë spektakulare, është rrëzuar një aeroplan rus me 224 pasagjerë, pastaj janë vënë në funksion skuadra vrasëse që morën jetët e 43 personave në Bejrut.
Aktet e terrorit kanë prekur edhe Ballkanin dy ushtarë boshnjakë janë vrarë këtë javë nga një sulm me armë.
/Koha Ditore/