Kosova me dënime të pamjaftueshme për trafikantët e qënieve njerëzore
Prishtinë, 2 korrik - Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës publikoi raportin mbi trafikun e qënieve njerëzore për vitin 2021.
Raporti i këtij viti për vjen në një kohë kur shumë vende u përballën me pandeminë e COVID-19-s. Ai konsiderohet si burimi më gjithëpërfshirës në botë i përpjekjeve qeveritare antitrafik dhe pasqyron angazhimin e qeverisë amerikane për të marrë një rol udhëheqës global në këtë çështje kryesore të të drejtave të njeriut dhe zbatimin e ligjit.
Sa i përket Kosovës në raport thuhet se qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për një gjë të tillë.
Qeveria sipas DASH demonstroi përpjekje të përgjithshme në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit, duke marrë parasysh ndikimin e pandemisë COVID-19 në kapacitetin e saj antitrafik, ndaj mbeti në nivelin e 2-të, sikurse thuhet në raport.
''Përpjekjet përfshinin miratimin e procedurave të reja standarde për të rritur efikasitetin e ndjekjeve penale dhe caktimin e një pike kontakti trafikimi në të shtatë zyrat themelore të prokurorisë.''
''Qeveria rriti burimet për mbrojtjen e viktimave, përfshirë fondet për strehimoret antitrafikim të drejtuara nga OJQ-të dhe ato nga shteti. Por sidoqoftë, thuhet në raport, qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha kryesore. U dënuan më pak trafikantë dhe gjyqtarët vazhduan të vendosnin dënime të pamjaftueshme për trafikantët e dënuar'', thekson DASH.
Për sa i takon përpjekjeve për parandalim në raport thuhet se qeveria i uli përpjekjet për të parandaluar trafikimin, veçanërisht për shkak të pandemisë.
Profili i trafikimit
Në raport thuhet se rrjetet kriminale shfrytëzuan viktimat në trafikimin seksual brenda vendit.
Shumë viktima të trafikimit seksual në Kosovë janë vajza, megjithëse trafikantët kanë detyruar gjithashtu edhe gra, nga Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe vendet e tjera evropiane per trafik seksual.
Gratë dhe vajzat shfrytëzohen për trafik seksual në shtëpi dhe apartamente private, klube nate dhe sallone masazhesh. Fëmijët nga Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera fqinje janë të detyruar të lypin brenda vendit.
Trafikantët i nënshtrojnë qytetarët e Kosovës ndaj trafikimit seksual dhe punës së detyruar në të gjithë Evropën. Komunitetet e margjinalizuara rome, ashkali dhe egjiptiane janë të prekshme nga lypja e detyruar dhe trafikimi seksual. Në raport thuhet gjithashtu se edhe personat e komunitetit LGBTQI +, migrantët, azilkërkuesit dhe refugjatët gjithashtu përjetojnë një rrezik më të lartë për trafikim.
Ndjekja penale
Në raport thuhet se qeveria i ruajti përpjekjet e strukturave të zbatimit të ligjit në këtë drejtim. Por në raport thuhet se korrupsioni dhe bashkëpunimi i zyrtarëve në krimet e trafikimit mbetën një shqetësim, duke penguar veprimet e strukturave të zbatimit të ligjit gjatë vitit.
Raporti sjell një rast të vitit 2016, kur prokurorët akuzuan dy oficerë policie për dy çështje të veçanta ku dyshohej se ishte abuzuar me pozitën zyrtare dhe për shfrytëzim për qëllime seksuale të viktimave të trafikimit. Në vitin 2019, Gjykata Themelore e Prishtinës liroi një nga oficerët.
Raport i rekomandon qeverisë së Kosovës të hetojë me forcë, të ndjekë penalisht dhe të dënojë trafikantët, duke përfshirë zyrtarë bashkëpunëtorë, dhe të dënojë trafikantët e dënuar me burg, në përputhje me dënimet e përcaktuara.
Raporti mbi trafikun e qënieve njerëzore për vitin 2021 pasqyron përpjekjet e rreth 190 vendeve, ndaj trafikut seksual dhe asaj që njihet si skllavëria moderne. Disa vende të nivelit të dytë, kategorizohen në atë që konsiderohet niveli i dytë nën vëzhgim ndërsa tre vende sikurse Libia Somalia dhe Jemeni konsiderohen si raste të veçanta.