Kosova me 11 184 veteranë të luftës së UÇK-së
Prishtinë, 21 gusht - Drejtori i Zyrës për Çështje të Veteranëve të Luftës në Qeverinë e Kosovës, Faik Fazliu, ka bërë të ditur se nga 32 mijë e 32 aplikacione të verifikuara deri më tani, 11 184 prej tyre u është njohur e drejta e veteranit të luftës së UÇK-së.
Shef i sekretarisë së Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të luftës së UÇK-së, Faik Fazliu, ka thënë të mërkurën për Epokën e re se çdo gjë është duke shkuar sipas dinamikës së paraparë sa i përket procesit të verifikimit të aplikacioneve.
Komisioni për verifikim, ashtu siç edhe ishte planifikuar, ka filluar edhe në terren verifikimin e aplikacioneve si dhe vërtetimin e tyre nga ana e eprorëve të të gjitha njësive vartëse të ish-Zonave Operative të UÇK-së. Me këtë rast komisioni falënderon të gjithë eprorët për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e tyre për të përfunduar këtë proces shumë të rëndësishëm, është shprehur Fazliu.
Ai ka treguar se deri më tani janë verifikuar 32 mijë e 32 aplikacione. Prej tyre 11 184 u është njohur e drejta e veteranit të luftës së UÇK-së, 1 280 statusi i invalidit, 932 statusi i dëshmorit, 12 300 statusi i pjesëtarit dhe pjesëmarrësit, ndërsa 255 aplikacione janë duke u shqyrtuar, kurse 6 mijë e 81 aplikacione janë refuzuar për tiu njohur ndonjëra nga këto kategori, ka deklaruar Fazliu.
Ai ka thënë se në disa zona ka përfunduar procesi i verifikimit, kurse në disa të tjera është në proces e sipër.
Zonës së Drenicës dhe Nerodimes u janë dhënë listat e aplikantëve dhe shpejt do ta fillojnë edhe fazën përfundimtare të nënshkrimit të aplikacioneve. Kurse zonat e tjera disa i kanë përfunduar e disa janë në përfundim e sipër, është shprehur Fazliu.
Ai ka kërkuar mbështetjen e të gjithëve, që edhe faza finale e këtij procesi të përmbyllet suksesshëm, në mënyrë që të gjithëve tu njihet kontributi i dhënë për lirinë e Kosovës.
Komisioni për Verifikim, duke i falënderuar të gjithë për bashkëpunim, njëherësh duke e parë që faza finale e verifikimit ka mundësi të realizohet me sukses, kërkon mbështetjen e të gjithë atyre që janë të interesuar që ky proces të përfundojë sa më mirë dhe duke njohur kontributin e të gjithëve që kanë dhënë për lirinë e vendit tonë, ka deklaruar Fazliu.
Ja rezultatet e verifikimit të 32 mijë e 32 aplikacioneve:
- 11 184 u miratohet aplikacioni për veteranë të luftës
- 1 280 ushtarë të UÇK-së, me pasoja të luftës - invalidë të luftës së UÇK-së
- 932 ushtarë të UÇK-së të rënë në luftë - dëshmorë
- 12 300 pjesëtarë dhe pjesëmarrës
- 255 aplikacione për tu rishqyrtuar në njësi të ndryshme
- 6 081 aplikacione janë refuzuar për tiu njohur ndonjëra nga këto kategori