Kosova ka bërë një progres të madh për parandalimin e emigrimit
Prishtinë, 14 nëntor - Ministria e Punëve të Brendshme me mbështetjen e projektit të binjakëzimit të financuar nga BE-ja: “Fuqizimi i institucioneve të Kosovës, në menaxhimin efektiv të migrimit”, ka filluar me mbajtjen e takimeve në kuadër të fushatës të vetëdijesimit për parandalimin e migrimit të parregullt.
Me këtë rast, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Izmi Zeka, ka vizituar qytetin e Prizrenit dhe të Gjakovës, ku ka mbajtur ligjëratë para banorëve të interesuar.
Gjatë këtyre takimeve me qytetarët, zëvendësministri Zeka ka bërë të ditur se duke u kujdesur për plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave dhe në kuadër të agjendës për integrim Evropian, Republika e Kosovës ka ndërmarrë reforma të shumta për harmonizim të legjislacionit, të dokumenteve strategjike dhe fushave që ndërlidhen me menaxhimin e emigrimit të parregullt, si dhe hapat konkret për promovimin e emigrimit të rregullt.
“Duke u bazuar edhe në statistikat e Eurostat-it, del se Kosova ka bërë një progres të madh për parandalimin e emigrimit të parregullt falë angazhimeve të institucioneve tona”, tha zëvendësministri Zeka.