Kosova ka bërë hapa të suksesshëm në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm
Prishtinë, 30 nëntor - Me ftesë të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u mbajt takimi i grupit punues për hartimin e “Strategjisë shtetërore kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”.
Takimin e hapi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Ganshani, i cili bëri të ditur se në kuadër të qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme ka paraqitur qartë prioritete e saj, e ku lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit është ndër prioritetet kryesore.
“Dëshiroj të theksoj se Republika e Kosovës, si anëtare e “Koalicionit Global Kundër DAESH-it (ISIS/ISIL)” ka bërë hapa të mëdhenj dhe të suksesshëm në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe është partnere e qëndrueshme dhe shumë serioze në luftën kundër terrorizmit global.“
“Angazhimi i qeverisë sonë në kthimin, dhe më pastaj, rehabilitimin dhe ri-integrimin e 121 qytetarëve të Kosovës të kthyer nga zonat e konfliktit në Siri, është një sukses i njohur dhe pranuar ndërkombëtarisht”, theksoi Gashani.
Ai vuri në dukje se terrorizmi mbetet një nga kërcënimet kryesore për sigurinë kombëtare dhe globale duke kërcënuar jo vetëm jetën dhe pronën, por edhe vlerat demokratike dhe mënyrën e jetesës së shoqërisë.
“Kështu që, përgjigja efektive ndaj terrorizmit kërkon përfshirjen dhe bashkëpunimin e të gjitha institucioneve publike, shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare dhe qytetarëve pa dallim”, theksoi Gashani.
Ferdinand Nikolla, Këshilltar Politik dhe udhëheqës i Grupit Punues theksoi se ky grup ka për detyrë që bazuar në rekomandimet e qeverisë të bëjë fuzionomin e dy strategjive në një të vetme, pra, fuzionimin e strategjisë kundër radikalizmit dhe ekstremizmit (2015-2020) dhe strategjinë në fuqi kundër terrorizmit (2018-2023) dhe për këtë kërkohet një punë dinamike për të hartuar një dokument cilësorë.
Në këtë takim, Vedat Sagonjeva, Drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik (ZPS), theksoi rëndësinë që ka procesi i hartimit të një këtij dokumenti strategjik, si në aspektin e përmbushjes së kritereve të përcaktuara me manualin dhe rregullat në fuqi, e po ashtu edhe rëndësia e ndërveprimit dhe harmonizimit me strategjitë tjera kombëtare, përfshi Strategjinë për Siguri, Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, etj.
Ai theksoi po ashtu se ZPS do të jetë kontribuues aktiv në hartimin e strategjisë në fjalë.
Dr.Craig McCann ekspert i jashtëm bëri një vlerësim të situatës së përgjithshme, ku foli edhe për trendet globale lidhur me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm dhe komponentët kryesore që një strategji e tillë duhet t’i konsideroj.
Në këtë takim anëtarët e grupit vlerësuan se për secilin objektiv është e nevojshme që të bëhet një analizë e detajuar, ku do të përfshihen të gjithë akterët, sidomos u vlerësua se është shumë e rëndësishme edhe angazhimi i shoqërisë civile marrë parasysh programet e tyre aktive në këtë fushë.
Po ashtu, u vlerësua se është shumë e nevojshme të trajtohet përfshirja e nivelit komunal, një mekanizëm i rëndësishëm që preket drejtpërdrejtë nga ky fenomen, e ku paraprakisht do të bëhej edhe identifikimi i nevojave reale të tyre për të marrë rol më aktiv në këtë drejtim, sidomos në fushën e parandalimit dhe rehabilitimit dhe ri-integrimit.