Kosova e vendosur fuqishëm në rrugën e demokracisë perëndimore
Split, 11 nëntor - Me ftesë të homologut të tij kroat, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, mori pjesë në konferencën vjetore të Kartës së Adriatikut-SHBA, në nivel të ministrave të mbrojtjes, të mbajtur më 9-10 nëntor, në Split të Kroacisë.
Paraprakisht, ministri Mehaj përveç takimit me ministrin kroat të Mbrojtjes, Mario Banozic, realizoi takime edhe me: zv.ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes për Rusi, Ukrainë dhe Euroazi, Nathaniel Adler, zv.ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Bashkim Hasani dhe drejtorin e Politikave të Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes së Malit të Zi, gjeneral major Rajko Pesic.
Gjatë punimeve të konferencës, në sesionin kryesor “Sfidat e reja të sigurisë-nxitje për bashkëpunimin e zgjeruar të sigurisë dhe mbrojtjes së A-5”, ministri Mehaj në ekspozenë e tij foli për nevojën e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si në rastin e pandemisë me Covid-19 si dhe intensifikimin e këtij bashkëpunimi për rimëkëmbjen rajonale post-covid.
Ai gjithashtu u fokusua edhe për shqetësimin në rritje nga ndërhyrjet e huaja në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë atë të Rusisë dhe Kinës, përmes Serbisë.
Ministri Mehaj potencoi të pranishmëve rrezikun e madh të këtyre kërcënimeve ruse dhe rolit destabilizues të Serbisë si në rastet e fundit në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe tentimit për krijimin e tensioneve në kufi me Kosovën, duke rikujtuar tragjeditë e shkaktuara nga regjimi i Millosheviqit në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci.
Lidhur me synimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, ministri Mehaj ftoi të gjitha vendet anëtare të Kartës së Adriatikut që të pajtohen me kërkesën e Kosovës për anëtarësim të plotë në këtë iniciativë të sigurisë rajonale.
“Anëtarësimi ynë në Kartën e Adriatikut-SHBA do të na ofronte një mundësi më të madhe për të kontribuar drejtpërdrejtë në paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë”, theksoi ndër të tjera ministri Mehaj.