Kosova e Suedia dakordohen për zyrtarizimin e marrëdhënieve
Prishtinë, 17 janar - Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), Haki Demolli, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë, Henrik Nilsson.
Në takimin e përbashkët të ministrit Demolli dhe ambasadorit Nilsson u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, me theks te veçantë për bashkëpunimin e mirë ndërmjet Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Suedisë.
Gjithashtu, në takim u bisedua edhe për ndihmën dhe mbështetjen që ka dhënë dhe po vazhdon të japë Mbretëria e Suedisë që nga kontributi i saj për sigurinë dhe paqen në Kosovë, pastaj ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer në drejtim të ngritjes, zhvillimit dhe fuqizimit të institucioneve të shtetit.
Ministri Demolli dhe ambasadori Nilsson biseduan edhe për bashkëpunimin e mirë ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Suedisë.
Njëherësh, ministri Demolli e falënderoi ambasadorin suedez edhe për mbështetjen e pakursyer të Mbretërisë së tij gjatë ngritjes dhe konsolidimit të Qendrës së Trajnimit të FSK-së për Kërkim Shpëtim, ku një kontribut të çmuar kanë dhënë ekspertët e saj të fushës së kërkim-shpëtimit si dhe ekspertët - këshilltarë në kuadër të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për Ministrinë dhe FSK-në.
Ministri Demolli dhe ambasadori Nilsson, gjithashtu, ranë dakord që të konkretizohet ideja për zyrtarizimin e marrëdhënieve me një marrëveshje dypalëshe e cila do të përcillej në vazhdimësi me planin e sinkronizuar të aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen ndërmjet dy ministrive dhe dy forcave përkatëse.