14 Maj 2024

Kosova e Shqipëria marrëveshje për shkëmbimin informacionit

Prishtinë, 7 nëntor - Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, nënshkruan sot marrëveshjen për: “shkëmbimin dhe mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar”.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe drejtor i Drejtorisë së Sigurimit të Informacioneve të Klasifikuara, Shyqyri Dekavelli.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se sot u nënshkrua marrëveshja për bashkëpunim në shkëmbimin e informatave të klasifikuara me Republikën e Shqipërisë.

Kjo është e një interesi të veçantë për shtetin tonë, për arsye se duhet t’i ndërtojmë këto struktura edhe kombëtare dhe të bashkëpunimit bilateral dhe me standarde të NATO-s.

“Ne jemi në fazat fillestare të plotësimit edhe të institucioneve, por edhe të gjitha atyre standardeve që kërkohen. Shqipëria është shumë e avancuar sepse i ka të gjitha këto struktura për më shumë se dhjetë vite dhe i ka integruar bashkë me NATO-s gjatë procesit të anëtarësimit."

"Këto janë standarde që struktura e NATO-s dhe shtete të caktuara i kushtojnë rëndësi të posaçme, që edhe ne poashtu i kushtojmë dhe ne kemi filluar përmes Agjencionit Kosovar të Inteligjencës”

Ministri Rexhepi vuri në dukje se edhe në Kosovë është filluar që ato pozicione të zyrtarëve që kanë qasje në informacione të caktuara të bëhet një lloj verifikimi, sepse ato janë sekrete shtetërore të niveleve të ndryshme.

Ai tha se kjo është marrëveshja e dytë, marrëveshja e parë është  nënshkruar me Bullgarinë dhe jemi në negociata edhe me disa shtete tjera. Sa më afër strukturave të NATO-s të jemi, do t’i kemi edhe kriteret e njëjta që ne duhet t’i plotësojmë, në mënyrë që pas anëtarësimit në NATO, t’i kemi ndërtuar të gjitha kapacitetet.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Informacioneve të Klasifikuara, Shyqyri Dekavelli, theksoi se është shumë e rëndësishme që nënshkruar marrëveshja qeveritare mes dy vendeve për sigurinë e informacionit të klasifikuar që shkëmbehen mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje i hapë rrugë institucioneve tona për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara.

“Është e rëndësishme sepse informacioni i siguruar ka lidhje direkt me sigurinë kombëtare dhe si e tillë, kjo marrëveshje përcakton rregulla si të mbrohet ky informacion në të dy vendet kur shkëmbehen mes institucioneve tona homologe."

"Këto standarde kërkohen  nga dokumentet e sigurisë së NATO-s, anëtare e të cilit Shqipëria është. Ne i kemi plotësuar të gjitha standardet e sigurisë së informacionit të klasifikuar, qoftë të NATO-së, qoftë organizatave ndërkombëtare apo vende tjera me të cilat kemi bashkëpunim”, theksoi drejtori Dekavelli.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)