Kosova e përkushtuar për mbrojtjen e viktimave të krimit
Prishtinë, 28 tetor - Me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, sot u bë hapja e konferencës rajonale tri ditore për forcimin e institucioneve që zbatojnë drejtësinë penale dhe sundimin e ligjit në Evropën qendrore dhe lindore, e organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Hapjen e kësaj konference e ka bërë ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha dhe Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson.
Në fjalën e tij para pjesëmarrësve të kësaj konference, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, pasi falënderoi përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse në ketë konferencë, tha se shkëmbimi i përvojave në aspektin e mbrojtjes së viktimave të krimit në mes të vendeve pjesëmarrëse, do të shërbej për përmirësimin e punës në mbrojtjen e viktimave të krimit.
Më pas, u.d. i Kryeprokurorit foli për krijimin e institucioneve për mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave të krimit, që sipas tij, daton nga viti 2002. Ai tha se nga ai vit është bërë punë e madhe në forcimin e institucioneve, krijimin e infrastrukturës ligjore moderne dhe shumë mekanizmave tjerë që shërbejnë në mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave të krimit.
Në fund të fjalës së tij, u.d. i Kryeprokurorit Hoxha tha se Kryeprokurori i Shtetit do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme që viktimat e krimit të trajtohen me respekt e dinjitet dhe duke aplikuar standarde të larta me qëllim të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre. Gjatë tri ditëve të konferencës pjesëmarrësit e saj do të diskutojnë për të drejtat e viktimave të krimit; legjislacioni-risit në përmirësimin e të drejtave të viktimave; mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave-praktikat më të mira të vendeve; roli i policisë, prokurorit të shtetit dhe ofruesve tjerë të shërbimeve për mbrojtjen dhe të drejtat e viktimave të krimit etj.