27 Prill 2024

Kosova e Hungaria nënshkruan marrëveshje për luftimin e krimit

Prishtinë, 31 korrik - Republika e Kosovës dhe Hungaria nënshkruan sot Marrëveshje të bashkëpunimit për parandalimin dhe luftimin e krimit. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Lorant Balla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, theksoi se sot nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit policor mes Republikës së Kosovës dhe Hungarisë, me qëllim që të bëjmë shkëmbimin e informatave për prevenimin e formave të formave të ndryshme të krimit, në veçanti të krimit të organizuar, terrorizmit, luftimin e trafikimit të drogave, trafikimin dhe kontrabandimin me njerëz, etj.

“Dihet se llojet e krimit të organizuar, kanë shtrirje të gjerë, regjionale dhe këto janë disa sfida, ku nuk mjafton një shtet me forca vetanake t’i luftojë këto fenomene, por duhet të ketë një bashkërendim të ngushtë në shkëmbimin e informatave”, tha ministri Rexhepi.

Ministri Rexhepi vlerësoi se këto marrëveshje kanë rëndësi të posaçme, ngase krijohet baza ligjore e bashkëpunimit të ndërsjellë. Me këtë bashkëpunim me autoritet e Hungarisë, ku lidhen shumë çështje të përbashkëta, me luftimin e krimit të organizuar do të arrihen suksese edhe më të mëdha.

Ndërsa ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Lorant Balla, theksoi se bashkëpunimi policor mes Hungarisë dhe Kosovës edhe deri më tani ka qenë  shumë i mirë, mirëpo me nënshkrimin e kësaj marrëveshje koordinimi i bashkëpunimit do të bëhet i shkëlqyeshëm.

“Unë nga ana ime edhe qeveria hungareze vlerëson shumë punën e ministrit Rexhepi në këtë aspekt. Besoj se kjo marrëveshje do t’i shërbejë interesave tona të ndërsjella dhe po ashtu do të ndihmojë Kosovën në rrugën e integrimit evropian. Jam veçanërisht krenar se kjo është marrëveshja e dytë që nënshkruam bashkë dhe për këtë falënderoj ministrin dhe autoritetet kosovare”, theksoi Balla.

Ministria e Punëve të Brendshme marrëveshje të tilla përveç në regjion, ka nënshkruar edhe me shtete të Bashkimit Evropian. Me këtë bazë ligjore dhe me një bashkëpunim të ngushtë do të zvogëlohet veprimtaria e krimit të organizuar.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)