Kosova e gatshme të kontribuojë për sigurinë rajonale dhe më gjerë
Prishtinë, 17 qershor - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i radhës i Bordit Ekzekutiv i Menaxhimit të Integruar të Kufirit, i udhëhequr nga Koordinatori nacional për MIK, njëherit zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.
Koordinatori nacional falënderoi të gjitha autoritetet e MIK-ut për punën e bërë deri më tani, dhe njëkohësisht kërkoi adresimin e të gjitha sfidave që rrjedhin nga plani i punës i paraparë për vitin 2016.
Gjithashtu Koordinatori nacional, gjatë këtij takimi kërkoi nga të gjitha autoritetet e MIK-ut avancimin e Qendrës Kombëtare për Menaxhim të Kufirit, përmes plotësimit me staf të nevojshëm dhe profesional me qëllim të ndërtimit të QKMK-së si pikë kontakti nacional për shkëmbim të informatave.
Gjatë këtij takimi, me propozim të Koordinatorit Nacional u miratua formimi i një grupi punues, me qëllim të hartimit të një dokumenti i cili do të shërbejë për avancimin e QKMK së, si pikë kontakti nacional për shkëmbim të informatave.
Bordit Ekzekutiv gjithashtu emëroi zëvendës koordinatorin e QKMK-së, si dhe miratoi planin e veprimit të strategjisë MIK-ut të rishikuar.
Zbatimi i konceptit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit është një tregues i qartë për partnerët ndërkombëtarë që Republika e Kosovës është e gatshme të kontribuojë për sigurinë rajonale dhe më gjerë, duke u bërë një partner i besueshëm si për BE-në dhe të tjerët, në sferën e kontrollit të kufijve të saj.