22 Dhjetor 2024

Kosova e gatshme për reagim të armatosur

Prishtinë, 20 gusht - Qeveria e Kosovës është e gatshme që të marrë vendim për intervenim të armatosur në rast se serbët e veriut vendosin që t’i bashkohen Serbisë apo të shpallin pavarësinë e kësaj pjese të Kosovës, shkruan sot e përditshmja serbe \"Danas\".

Sipas kësaj gazete, për mundësinë e intervenimit të armatosur për mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës është njoftuar edhe bashkësia ndërkombëtare.

Ndonëse autorët apo subjektet politike të një deklarate të publikuar të martën që fliste për pavarësinë e veriut nuk kanë dalë para opinionit, ajo nga Prishtina zyrtare është marrë me seriozitet dhe janë paralajmëruar reagime varësisht gjendjes në këtë pjesë të Kosovës.

\"Jemi të gatshëm edhe për reagim të armatosur\", citohet nga \"Danas\" të ketë thënë ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi.

Ministri Rexhepi ka thënë se të gjithë ata të cilët do të shpallnin pavarësinë e pjesës veriore, pra që do të ndërmerrnin këtë hapa aventuresk, do të arrestoheshin nga policia.

I pyetur se a mundet Prishtina zyrtare të merr njëanshëm këtë hap – për reagim të armatosur – apo do të duhej të merrte pëlqimin e përfaqësuesve ndërkombëtar në Kosovë – nga KFOR-i, EULEKS-i dhe Zyra e Pieter Fejth, ministri Rexhepi është përgjigjur se Qeveria e Kosovës e ka njoftuar për të gjitha EULEKS-in dhe përfaqësuesin civil ndërkombëtar.

\"E kemi kërkuar ndihmën e tyre që të mos vije deri te shpallja e pavarësisë së veriut të Kosovës dhe po ashtu i kemi njoftuar se do të reagojmë nëse diçka e tillë ndodhë\".

Autori i deklaratës për \"pavarësinë e veriut\", mbetet një enigmë edhe për faktorin politik serb, pasi deri tani asnjë subjekt serb as në Kosovë dhe as në Serbi nuk ka pranuar se qëndron prapa saj.

Kjo letër, pjesë të së cilës janë publikuar në disa media serbe të Kosovës, mban titullin \"Deklarata për pavarësinë e Lidhjes së Komunave të Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë\", lidhje kjo që sipas përfaqësuesve të serbëve të veriut, është e panjohur për ta.

Krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, menjëherë pas publikimit të kësaj letre zhvilluan takime me dyer të mbyllura me përfaqësues të lartë diplomatikë në Prishtinë duke kërkuar prej tyre që të kërkojnë nga Beogradi të mos i dirigjojë dhe të mos i nxisë strukturat paralele për marrjen e një veprim të tillë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)