Kosova dhe Zvicra me bashkëpunim policor
Prishtinë, 4 prill - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, priti në takim Kryesuesen e Departamentit Federal për Drejtësi dhe Polici të Zvicrës, Simonetta Sommaruga.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për bashkëpunimin e ndërsjellë në mes Kosovës dhe Zvicrës posaçërisht në fushën e menaxhimit të migracionit, bashkëpunimit policor, luftimin e krimit të organizuar dhe fusha të tjera.
Ministri Rexhepi e informoi Sommaruga rreth zhvillimeve të fundit politike dhe ato të fushës së sigurisë, me theks të veçantë për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.
Mbështetja dhe asistenca e vazhdueshme e Zvicrës ka qenë shumë e rëndësishme për Kosovën në përmbushjen e obligimeve karshi procesit të integrimit evropian, tha Rexhepi.
Për më tepër, të arriturat e Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave nga Qeveria e Kosovës konsiderohen si hapa të nevojshëm për të garantuar sundim të ligjit dhe ofrim të shërbimeve të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për të avancuar partneritetin rajonal dhe ndërkombëtar.
Ndërsa znj. Sommaruga, theksoi nevojën e bashkëpunimit të mëtutjeshëm duke pasur parasysh numrin e madh të komunitet kosovar që jeton në Zvicër.
Ky bashkëpunim pritet të avancohet edhe më tepër me dialogun për partneritet në fushën e migracionit si dhe të zbatimit të marrëveshjes për bashkëpunim policor në mes të dy vendeve.