Kosova dhe Zvicra mbajnë dialogun mbi partneritetin për migrim
Prishtinë, 10 qershor - Prishtinë, 10 qershor - Takimi i radhës me rastin e zhvillimit të dialogut mbi Partneritetin për Migrim midis Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, u mbajt në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Në këtë takim morën pjesë: ministri i Punëve të Brendshme, z. Skender Hyseni, ambasadorja e Zvicrës në Kosove, znj. Krystyna Marty Lang, një delegacion nga Zvicra i kryesuar nga Ambasadori Von Arb, si dhe përfaqësues të MPB-së dhe institucioneve tjera.
Ministri i MPB-së, z. Skender Hyseni theksoi se të dyja delegacionet do të gjejnë mënyrat më të mira për të mundësuar që lëvizja e qytetarëve të bëhet në kuadër të normave dhe rregullave në fuqi dhe sa më shumë që është e mundur të punohet drejt arritjes së një stadi të lëvizjes së lirë të qytetarëve.
Ministri theksoi se tashmë është përfunduar raporti final për liberalizim të vizave dhe i njëjti javën e kaluar është dërguar në Bruksel.
Në korrik të këtij viti presim një komision vlerësues nga BE-ja, për të evidentuar progresin, theksoi ministri Hyseni, me çrast kërkoi përkrahjen e Zvicrës për Kosovën në rrafshin e liberalizimit të vizave.
Ambasadorja e Zvicrës në Kosove, znj. Krystyna Marty Lang, tha se shteti të cilin e përfaqëson ajo, dëshiron që Kosova të jetë e liberalizuar në kuptim të shfrytëzimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe se ky proces duhet të shkojë drejt përmbylljes.
Zvicra mbështet këtë proces shumë të rëndësishëm i cili është shumë i nevojshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, tha znj. Lang.
Ndërsa kryesuesi i delegacionit zviceran, Ambasadori Von Arb, theksoi se ka gjetur zhvillime pozitive në Kosovë sa i përket menaxhimit të migrimit dhe integrimit dhe personave të riatdhesuar.
Në këtë takim të radhës, gjithashtu do të diskutohen një numër çështjesh me rëndësi në fushën e migrimit, që kanë për qellim rritjen e bashkëpunimit midis autoriteteve tona dhe atyre zvicerane.