Kosova dhe Shqipëria thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë
Prishtinë, 24 shkurt - Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, u prit sot në vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, nga homologu i tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneralmajor Dr. Bajram Begaj.
Pas pritjes me nderimet më të larta ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes, Gjeneral Jasharin e priti Zv. Ministrja e Mbrojtjes, znj. Dallëndyshe Bici.
Me këtë rast, Zv. Ministrja Bici i dëshiroi mirëseardhje të ngrohtë Gjeneral Jasharit, duke e uruar për detyrën dhe duke vlerësuar lartë udhëheqjen e tij.
Në vazhdim, Gjeneral Jashari dhe Gjeneral Begaj zhvilluan takim kokë më kokë për të vazhduar tutje me takimin në nivel të dy delegacioneve nga shtabet e forcave respektive.
Fokusi kryesor i takimit ishte diskutimi i çështjeve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në kuadër të thellimit të bashkëpunimit dy-palësh në trajnime individuale, stërvitjeve kolektive dhe aktiviteteve tjera. Gjithashtu u diskutua për situatën e përgjithshme gjeopolitike dhe ndikimet potenciale në rajonin tonë.
Gjeneral Jasharit me delegacionin e tij vazhdoi vizitën në Komandën e Forcave Tokësore të FARSH, ku u prit nga komandanti i Forcave Tokësore, Gjeneral Brigade Arben Kingji.
Me këtë rast, Gjeneral Jashari u njoftua nga afër me misionin, organizimin, strukturën dhe nivelin e gatishmërisë operacionale të Komandës së Forcave Tokësore, ku ndër të tjera shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen e lartë për të arriturat e deritashme.
Gjeneral Jashari shprehu besimin se bashkëpunimi i shkëlqyeshëm mes forcave tokësore të dy institucioneve do të thellohet edhe më tej në të ardhmen në kuadër të bashkëpunimit bilateral dhe multilateral ushtarak.
Vizita e Gjeneral Jasharit në Shqipëri është vizita e tij e parë zyrtare jashtë vendit pas marrjes së detyrës së Komandantit të FSK-së dhe simbolizon bashkëpunimin ndër-vëllazëror në mes Forcave të dy vendeve.