Kosova dhe Shqipëria diskutojnë shkëmbimin e përvojave në drejtësi
Prishtinë, 10 qershor - Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka zhvilluar një video-konferencë me Ministren e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, Etilda Gjonaj.
“Kënaqësi e veçantë të zhvilloj takimin tim të parë, edhe pse në mënyrë virtuale, me Ministren e Drejtësisë së Shqipërisë, Etilda Gjonaj. Bashkëbisedim i frytshëm për mënyra të reja të thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit bilateral në fushën e drejtësisë”, deklaroi Ministri Selimi.
Ministri Selimi dhe Ministrja Gjonaj kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e drejtësisë.
“Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira me Shqipërinë, na shërben në rrugën tonë të anëtarësimit në BE. U pajtuam të punojmë ngushtë së bashku për të përmbushur potencialin e madh dhe për t'i dhënë vlerë të shtuar marrëdhënieve tona tashmë të shkëlqyera”, ka deklaruar Ministri Selimi.
Sipas tij, është e pazëvendësueshme përkrahja e Shqipërisë, si zë i fuqishëm për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar.
Ndërsa Ministrja e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, Etilda Gjonaj, uroi Ministrin Selimi për detyrën e re, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.