Kosova dhe Shqipëria diskutojnë për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit
Prishtinë, 10 shkurt - Avancimi i politikave në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe administrimi i procesit të deklarimit elektronik të pasurisë, ishin temë dikstutimi mes Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj me znj. Evgjeni Bashari, Inspektore e Përgjithshme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave në Shqipëri.
Në takimin e përbashkët, dy udhëheqësit e institucioneve, diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informatave për deklarimin elektronik të pasurisë dhe përvojën e Republikës së Shqipërisë përgjatë realizimit të këtij projekti.
Drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj e informoi Inspektoren e Përgjithshme të ILDKPKI-së, znj. Evgjeni Bashari me mandatin dhe fushëveprimin ligjor të AKK-së, ndërsa theksoi se Agjencia kundër Korrupsionit, aktualisht është në fazën e trajtimit të metodologjisë për deklarimin elektronik të pasurisë dhe se shkëmbimi i përvojave dhe informatave me ILDKPKI - në është i rëndësishëm për shmangjen e mangësive dhe evidentimin e vështirësive të mundshme që mund të dalin gjatë procesit.
Në takimin e përbashkët, dy udhëheqësit e institucioneve u dakortësuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë në shkëmbimin e përvojave me interes për të dyja vendet në parandalimin dhe luftën kundër e korrupsionit.