17 Janar 2025

Kosova dhe SHBA nënshkruan marrëveshjen e ekstradimit

Prishtinë, 29 mars -  Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga dhe ambasadori i SHBA në Kosovë, Greg Delawie, nënshkruan sot marrëveshjen e ekstradimit midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa, Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi-Rama, kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të vendit.

Në një deklaratë bërë me këtë rast, Presidentja Jahjaga tha se sot me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar marrëveshjen bilaterale të ekstradimit.

"Marrëveshja, përpos që shënon një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve bilaterale me SHBA-të, nënvizon përcaktimin tonë për sundim të rendit dhe ligjit në Kosovë dhe për bashkëpunim të parezervë me partnerët tanë në këtë aspekt", ka theksuar Jahjaga.

Deri më tani sipas saj përkundër bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet amerikane në fushën e sigurisë, mungesa e kësaj marrëveshjeje të ekstradimit ka qenë pengesë ligjore për përmbyllje të suksesshme të rasteve.

Jahjaga ka shtuar se me këtë marrëveshje të nënshkruar sot Kosova dhe SHBA-të, përpos që forcojnë partneritetin dhe përcaktimin për rend dhe ligj, dy shtetet garantojnë që kriminelët që paraqesin rrezik për rendin dhe sigurinë e qytetarëve të vendeve tona do të ndiqen dhe do të vihen para drejtësië.

"Republika e Kosovës do të vazhdojë të vihet në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut."

"E ritheksoj se Kosova do të jetë partner kredibil i Shteteve të Bashkuara dhe më vjen mirë që gjatë mandatit tim kemi arritur ta thellojmë këtë partneritet dhe miqësi si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në procese tjera bilaterale."

"Kosova është falënderuese për ndihmën dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për konsolidimin tonë shtetëror dhe jemi krenarë që sot bashkërisht po e dëshmojmë përcaktimin tonë për bashkëpunim në çështjet e rëndësishme për dyja vendet", ka thënë Jahjaga.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)