Kosova dhe Finlanda nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim policor
Prishtinë, 2 tetor - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi po qëndron në një vizitë zyrtare në Republikën e Finlandës, ku do të takohet me zyrtar të lartë të këtij shteti.
Gjatë kësaj vizite ministri Rexhepi dhe homologia finlandeze, Paivi Rasanen nënshkruan Marrëveshje për bashkëpunim policor në parandalimin dhe luftimin e krimit.
Marrëveshja ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit policor ndërmjet autoriteteve kompetente të dyja shteteve, sa i përket luftimit të krimit të organizuar, terrorizmit, trafikimit me njerëz, kontrabandimit të emigrantëve, krimit kibernetikë, pastrimit të parave, korrupsioni etj.
Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje tregohet përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për formalizmin e bashkëpunimit me shtete anëtare të BE-së dhe për të dëshmuar se Kosova është partnere me shtetet anëtare të BE-së dhe organizatat ndërkombëtare në luftimin e të gjitha formave të krimit të organizuar.
Këto marrëveshje janë ndër kriteret kryesore për plotësimin e kushteve për liberalizim të vizave dhe anëtarësimin në BE.
Ministri Rexhepi gjatë kësaj vizite pritet të takoj edhe zyrtar të tjerë të lartë të Finlandës, ndër ta dhe ish-të dërguarin e posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari.