28 Dhjetor 2024

Kontestohet draft ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra penale

Prishtinë, 6 mars - Forumi Këshillues i OJQ-ve për pakon Ligjore Kundër-korrupsion, ka mbajtur një konferencë për media, ku është shprehur qëndrimi në lidhje me përmbajtjen e draft-ligjit për Konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra penale, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë (MD).

Përfaqësues të Forumit që përbëhet nga dhjetë (10) OJQ, pjesë edhe të grupit punues për hartimin e këtij ligji në kuadër të MD-së, kanë vlerësuar se infrastruktura ligjore për luftimin e krimit të organizuar dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme vazhdon të jetë e mangët. Besnik Ramadanaj nga KDI ka thënë se institucioni përgjegjës, përkatësisht ministri i Drejtësisë, si sponsorizues i këtij ligji fillimisht kishte premtuar që ligji në fjalë të hynte në fuqi në fillim të janarit, premtim që nuk u përmbush. Ai ka thënë se pas shumë vonesave, MD ditë më parë ka nxjerrë një draft-ligj të quajtur Ligji për Konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra penale.

“Në këtë kuadër, Forumi Këshillues i OJQ-ve për pakon Ligjore Kundër-korrupsion ka zhvilluar disa takime konsultative, ku është analizuar përmbajtja e versionit fillestar të Draft-ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepra Penale. Forumi pas analizave e sheh të arsyeshme të kontestojë draft-ligjin e propozuar. Pra për ne si forum, ky draft-ligj, në këtë formë, është i papranueshëm, pasi dispozitat kryesore që përmban janë të rregulluara me legjislacionin e zbatueshëm në Kosovë”, ka thënë Ramadanaj, ndërkohë ka shtuar se në këtë formë, me këtë ligj nuk luftohet aspak ajo që jo vetëm shoqëria civile insiston, por edhe të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, pra luftimi i krimit të organizuar.

Këto qëndrime i janë dërguar edhe MD-së dhe sipas tij, janë parimet bazë për forumin, e të cilat synohet dhe kërkohet t’i përmbaj ligji. Ndërkohë, është shprehur gatishmëria që kontributi i Forumit të vazhdohet në grupin punues nëse MD e merr parasysh qëndrimin e tyre.

Nga ana tjetër, Arton Demhasaj nga organizata Çohu, pjesë e Forumit ka prezantuar përfundimet e dala nga konsultimet e forumit.

Sipas Demhasajt, fillimisht duhet ndryshuar emri i Draft-ligjit, i cili në të njëjtën kohë reflekton në fushëveprimin dhe qëllimin e këtij Draft-ligji. Sipas tij, Forumi rekomandon që kualifikimi “pasuritë e fituara me kryerjen e veprës penale”, të ndryshohet me “pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme” (edhe për rastet kur nuk ka të bëjë me vepër penale). 

“Nën 2, barra e provës për të vërtetuar ligjshmërinë e pasurisë së fituar, të bie mbi të dyshuarin, e jo sipas detyrës zyrtare. Me bartjen e barrës së provës tek të dyshuarit, do të rritej mundësia e luftimit më efikas të krimit të organizuar dhe pasurisë së paligjshme. Një përvojë e tillë çfarë rekomandon Forumi paraqitet edhe në shtetet e rajonit, si Shqipëria, Sllovenia e Bullgaria. 3. Ky Draft-ligj do të duhej të zbatohej edhe për pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme të personave të dyshuar, të krijuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji. 4.    Sugjerohet krijimi i mekanizmave të veçanta brenda institucioneve ekzistuese (polici, prokurori, gjykata) me qëllim të zbatimit më efikas të legjislacionit të kësaj fushe”, ka thënë ai. 

Ndërkohë, Admir Salihu nga Lëvizja Fol, po ashtu pjesë e Forumit ka folur për retroaktivitetin e që duhet pasur ky ligj në kuadër të zbatimit. Salihu ka përmendur përvoja të shteteve të ndryshme, që ligjet e tyre kryesisht fushëveprimin e kanë edhe për të kaluarën. Sipas tij, Forumi rekomandon që efekti i Ligjit të ardhshëm të jetë i aplikueshëm edhe për rastet e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme, edhe para hyrjes në fuqi të ligjit. 

Forumi Këshillues i OJQ-ve për pakon Ligjore Kundër-korrupsion funksionon për rreth një vit, në kuadër të projektit të KDI-së “Avokimi për kompletimin e pakos së ligjeve kundër-korrupsion” dhe financohet nga Ambasada Britanike në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)