Konstituohet Bordi i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike
Prishtinë, 8 prill - Në bazë të Ligjit për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot u bë konstituimi i Bordit Drejtues të AKSP-së, i përbërë prej kryesuesit dhe shtatë anëtarëve. Kryesues i Bordit të AKSP-së u zgjodh Ismet Kabashi, i cili njëherësh është edhe kryeprokuror në Prokurorinë e Shtetit.
Anëtarë të bordit janë; Ismail Smakiqi drejtor i Përgjithshëm i AKSP-së, Shpend Maxhuni, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Huruglica, drejtor i Doganave të Kosovës, Resmi Hoxha, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Metije Ademi, drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimit Sprovues, Fadil Kodra, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave dhe Fitim Shishani, Kryeshef Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës.
Gjatë takimit të sotëm po ashtu u caktua edhe sekretaria e bordit, ku anëtarë të kësaj sekretarie janë zyrtarët ligjor të AKSP-së. Në bazë të Ligjit për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, si dhe nenit 19 të paragrafit 6 të rregullores së punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës është nxjerrë Rregullorja për Bordin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, në bazë të cilët parashihet që kryesuesi i Bordit të AKSP-së të ketë mandat njëvjeçar.
Themelimi i Bordit të Akademisë ka për qëllim vendosjen e minimumit bazë të standardeve profesionale, politikave që kanë të bëjnë me trajnimet në fushën e sigurisë publike, edukimin e specializuar dhe për të avancuar të institucionet për siguri publike në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.