Konfiskohen mbi 5 kg substancë narkotike e llojit marihuan
Prishtinë, 18 dhjetor - Njësiti i hetimeve të stacionit policor në Kamenicë, me 17 dhjetor 2013, pas një informate të siguruar përmes rrugëve operativo-hetimore, kanë gjetur një çantë me një sasi të substancës narkotike, e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë.
Çanta me substancë narkotike është gjetur në fshatin Topanicë, komuna e Kamenicës, pikërisht nën një urë e cila gjendet në këtë fshat.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë patrulluese, të cilat kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, si dhe Njësiti kundër trafikimit me narkotikë së bashku me Njësitin e forenzikës.
Njësiti kundër trafikimit me narkotikë ka bërë tërheqjen e çantës së bashku me substancën narkotike dhe brenda në çantë ishin gjetur dhjetë paketime të substancës narkotike e dyshuar e llojit marihuanë, sasia e të cilave arrinte në 5. 687 kg.
Lidhur me këtë rast është kontaktuar prokurori përkatës përderisa njësitet policore janë duke kryer hetime intensive në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.